LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Masat e BE-së të hiqen para zgjedhjeve në veri

Mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, duhet t’i paraprijë heqja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, ka thënë të mërkurën kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, është i logjikshëm një veprim i tillë, pas dakordimit të arritur në Bratisllavë. Kurti ka folur edhe për mënyrën se si do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, dhe ka kritikuar sjelljen e kryetarëve të dy prej këtyre komunave, të cilët i përkasin PDK-së

Kryeministri Albin Kurti ka thënë të mërkuren se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) ndaj Kosovës, duhet të hiqen sa më parë, e gjithsesi para zgjedhjeve të parakohshme që planifikohet të organizohen pas verës në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë.

Por, ai ka mohuar se Kosova ka kushtëzuar mbajtjen e tyre me heqjen e masave ndëshkuese.

Në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë Kurti tha se duhet zbatuar dakordimi i arritur në Bratisllavë me BE-në në lidhje me hapat e parë për deeskalimin e situatës në veri.

“Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës ndërkaq për këto masat që janë marrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme, edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht”, ka deklaruar kryeministri Kurti. “Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut ... dhe që natyrisht e krijon atë normalitetin minimal për zgjedhje të parakohshme”.

Pas zgjedhjeve të parakohshme në veri, të cilat u bojkotuan nga serbët por u mbështetën ndërkombëtarisht, komuniteti ndërkombëtar bëri përgjegjëse Kosovën për tensionet, pasi me asistencë të Policisë u siguroi kryetarëve të zgjedhur qasje në ndërtesa komunale.

Serbët kundërshtuan, dhe turma të tyre sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, ata të Policisë si dhe ekipet shqiptare të mediave.

BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova të tërheq pa vonesë policët nga dhe përreth objekteve komunale e edhe që kryetarët e rinj ta ushtrojnë mandatin jashtë ndërtesave komunale. Masa të karakterit politik e ekonomik u vendosën, si ndëshkim pas refuzimit të Qeverisë për t’iu bindur këtyre kërkesave.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar se nevojitet angazhim konstruktiv për të përmbushur depërshkallizimin e situatës në veri. E ka deklaruar këtë, pas takimit me deputetët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

“Patëm bisedë të mirë me Komisionin për Punë të Jashtme për zhvillimet e fundit dhe situatën në veri. I shpjegova se masat e BE-së janë të përkohshme dhe të kthyeshme, por nevojitet angazhim konstruktiv për të përmbushur depërshkallëzimin siç kërkohet nga deklarata e BE-së e 3 qershorit”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se, konform deklaratës së 3 qershorit, janë përmbushur të gjithë hapat. Ata përfshijnë reduktimin për 25 për qind të policëve në dhe përreth objekteve komunale, vlerësimin e situatës së sigurisë në veri bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe deklarimin pro organizimit të zgjedhjeve në veri, pas verës.

Duke folur për procedurat që duhet të ndiqen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, kryeministri Kurti ka thënë pas mbledhjes së qeverisë se do të jetë përvojë e re për institucionet, andaj duhet përgatitur mirë.

“Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për neve, të jetë aq i sigurt saqë i pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik. Nuk e di sa kohë merr por si vullnet politik nga Qeveria e Republikës së Kosovës jam i interesuar sa më parë e sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut, që nga maji janë duke u drejtuar nga kryetarë shqiptarë e boshnjak. Ai i Leposaviqit dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, e të cilët i takojnë Vetëvendosjes, janë duke e ushtruar detyrën në zyrat komunale, përkundër protestave të vazhdueshëm të serbëve.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut, e që i takojnë Partisë Demokratike në opozitë, mandatin janë duke e ushtruar nga ndërtesa alternative.

Kryeministri Kurti dhe ministri për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i kritikuan të dy, pasi theksuan se puna duhet kryer në zyre.

“Mund t’i takoj, por tash nuk e di sa është i këndshëm takimi me mua sepse kur takohen njerëzit me mua unë ju them: ‘shkoni në punë’, jo ‘mos shkoni në punë’. Pra, nuk është problemi a ka takim, a s’ka takim. Problemi është se unë them me shku në punë se po të ecën rroga. Kur të ecë rroga duhet me shku në punë”, ka deklaruar Kurti

E Krasniqi tha se ministria që e drejton u ofron mbështetje të vazhdueshme kryetarëve të rinj, në veçanti atyre të Leposaviqit e Mitrovicës së Veriut.

“Me kryetarët që punojnë në zyra alternative kam më pak mundësi që të zhvilloj punë dhe procedura. Me kryetarin Lulzim dhe kryetarin Erden jemi në koordimin të rregullt. Zyrtarët e ministrisë sonë janë në mbështetje të vazhdueshme”, ka thënë Krasniqi.

Pas protestave të dhunshme në veri, një numër serbësh janë arrestuar. Por, prej kur Kosova dhe BE-ja janë dakorduar për hapat fillestarë drejt depërshkallëzimit të situatës, gjykatat kanë lënë të lirë disa prej të arrestuarve.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk është i bindur në korrektësinë e organeve të drejtësisë për vendimet që kanë marrë.

“Ju e dini se në përgjithësi me prokurorinë unë nuk jam i kënaqur. Besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant. Po ashtu, nga numri i madh i informacionit dhe kallëzimeve penale, e denoncimeve që kanë marrë nga të gjitha institucionet e shtetit jo vetëm ministritë, por edhe agjencitë shtetërore, por edhe qytetarët e Republikës”, ka thënë ai. “Unë besoj që ata duhet të japin përgjigje se si bëhet që dikush qëndron në paraburgim për muaj të tërë e dikush as një muaj ose as 3 muaj, siç zakonisht bëhet vazhdimi i paraburgimit. Edhe unë nuk jam i bindur për korrektësinë, mirëpo megjithatë vendimi meritor ka të bëjë me hollësitë e çështjes, për të cilët duhet ata në KPK të iu përgjigjen, sepse duhet t’i japin llogari publikut”.

Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk kanë pranuar ende dorëheqjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë dorëhequr fundvitin e shkuar, bashkë me nëpunës të institucioneve tjera qendrore e lokale, në shenj kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë për ndalimin e targave ilegale të Serbisë në Kosovë.

E krahas kryetarëve të rinj që janë zgjedhur, pas dorëheqjes së të mëparshmëve, ekzekutivi ka zhvilluar proces rekrutimi për një numër policësh serbë, meqë në nëntor zhveshën uniformat rreth 450 sish.