LAJMET E MBRËMJES

Kurti në Davos: Progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me statusin e vendit kandidat për BE

Në Davos, ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos. Më këtë rast, ai ka vlerësuar se Kosova meriton që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, teksa ka shtuar se asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur sesa Kosova kur e kanë marrë këtë status.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga Davosi i Zvicrës ka kërkuar që progresi demokratik i Kosovës të vlerësohet me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai këtë kërkesë ia ka bërë komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, gjatë takimit që e ka zhvilluar në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.

“U diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit, në takimin mes Kurtit e Kosit është diskutuar edhe për situatën gjeostrategjike, Planin e Rritjes të BE-së dhe për bashkëpunimin rajonal.

Në Davos, kryeministri në detyrë e ka takuar edhe ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erkki Keldo.

Në Qeveri kanë njoftuar se gjatë takimit është vlerësuar mbështetja e Estonisë, si anëtare e BE-së dhe e NATO-s, për integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Me Estoninë ndajmë realitete të ngjashme të sigurisë dhe një përkushtim ndaj sovranitetit, demokracisë dhe qëndrueshmërisë. Në takim u bisedua për përvojën e suksesshme të Estonisë në fushën e teknologjisë dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit në shërbimet digjitale, inovacion, infrastrukturë dhe energji”, thuhet në njoftim.

Në margjina të këtij forumi janë zhvilluar edhe diskutime në Shtëpinë e Kosovës në Davos, lidhur me sigurinë energjetike dhe inteligjencën artificiale.