Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti do proces meritor integrimi, Kos pret rezultate në dialogun me Serbinë

Marta Kos dhe Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Në vizitën e parë të saj prej që ka marrë pozitën, komisionerja për zgjerim Marta Kos është pritur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe nga përfaqësues tjerë politikë. Tek ka folur për perspektiven evropiane të Kosovës, Kos ka thënë se ajo varet edhe nga përparimi në dialogun me Serbinë, ndërkaq Kurti ka bërë thirrje për proces meritor integrimi. Të dy kanë folur edhe për Serbinë dhe obligimet që ajo ka në raport me të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka vizituar të premten Kosovën dhe në takimi me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë ka marrë mesazhin për trajtim meritor të Kosovës në procesin e eurointegrimit. 

Në vizitën e parë të saj prej që ka marrë pozitën, ajo është pritur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe nga përfaqësues të tjerë politikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një konferencë për media, pas takimit me Kurtin, Kos e ka lidhur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me suksesin që shteti mund të ketë në dialogun me Serbinë dhe në zbatimin e reformave. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për stabilitet institucional.

“Ne nuk punojmë me data, por i rëndësishëm është edhe përparimi dhe rruga që ndiqet. Sa më e suksesshme të jetë Kosova në zbatimin e reformave dhe sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë-Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të mund t’i fillojmë negociatat, negociatat e vërteta.

Pra, kjo është pjesa politike”, ka theksuar Kos.

Ajo ka thënë se përtej aspektit politik, është gjithashtu e rëndësishme që Kosova të angazhohet edhe me shtetet anëtare veç e veç.

“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka një pjesë të negociatave teknike, ndërsa pjesa tjetër lidhet me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë. Prandaj, nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100 për qind e sigurt dhe do të punoj pa u lodhur për qëllimin që ta afroj Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian”, ka thënë Kos.

Kosova është i vetmi shtet i rajonit, të cilit ende nuk i është dhënë statusi i vendit kandidat. Kjo, pavarësisht aplikimit që e ka bërë në vitin 2022. Aplikimi nuk është shqyrtuar, dhe pengesë për ta marrë në trajtim atë është parë fakti që Kosova ende nuk njihet shtet nga pesë vende anëtare të BE-së: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia deh Qiproja.

Kryeministri Kurti ka qenë ai që gjatë Presidencës Çeke të BE-së, ka deponuar aplikimin për anëtarësim. 

Ai në konferencën e përbashkët për media me komisioneren për zgjerim, ka thënë se e ka ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. 

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës”, ka thënë ai dhe ka rikujtuar se në Kosovë mbështetja publike për Bashkimin Evropian, për anëtarësimin në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind,  ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.

Kurti ka thënë të jetë i vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por ka kërkuar unitet në angazhim. 

“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare, por kërkohet që edhe Institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian”, ka thënë kryeministri Kurti. “Kemi bërë progres në shtylla themelore dhe kjo jemi të bindur që meriton të njihet nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit. Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra as derë të pasme, vetëm proces meritor”. 

Ai ka theksuar se vakumi që lë Bashkimi Evropian synohet që të mbushet nga akterë të tjerë dashakëqij, që sipas tij, i minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë e përbashkët. Tek e ka theksuar këtë, ka vlerësuar se është përgjegjësia e të gjithëve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit.

Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal. 

“Çelësi kryesor për bashkëpunim të suksesshëm rajonal është fqinjësia e mirë evropiane. Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tre vjetët e fundit, në Banjskë, më 24 shtator 2023, dhe në kanalin Iber-Lepenc, në infrastrukturë kritike më 29 nëntor 2024. Që të dyja këto të dirigjuara e financuara nga fqinji ynë verior”, ka thënë Kurti. “Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinjë agresor e agresiv që të sulmon në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”.

Ndërkaq, komisionerja Kos ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shtyhet përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë dhe e ka vlerësuar si kyç rolin e Kosovës në këtë aspekt.

“Kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, arsye pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me kujdesin për sigurinë në Evropë, me të qenit bashkë, me bashkëpunimin rajonal që e përmendët edhe ju, dhe sigurisht edhe përmes integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos.

Ndërkaq, kur ka folur për anëtarësimin e Serbisë në BE, ajo ka theksuar se moszotimi i saj sa i përket sulmit terrorist në Banjskë nuk është mirë të kalojë si i tillë.

“Sa i përket Serbisë dhe anashkalimet që janë bërë në të kaluarën është një pjesë e rëndësishme në mënyrën se si Serbia do ta trasojë rrugën e vet, do të thotë përkushtimi i saj për Banjskën dhe moszotimi i tyre nuk është mirë që të kaloj i tillë”, ka theksuar ajo.

Kos ka theksuar se për rrugën përpara në proces integrimi është i rëndësishëm edhe stabiliteti institucional, të cilin Kosova nuk e ka prej më shumë se një viti kur janë mbajtur dy palë zgjedhje nacionale dhe të tretat janë caktuar për 7 qershor. 

“Një nga detyrat e mia më të mëdha është të kujdesem për një integrim shumë më të fuqishëm të Kosovës në Bashkimin Evropian. Thirrja ime shumë e qartë gjatë kësaj vizite, është gjithashtu që t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer stabilitetin institucional”, ka thënë ajo. 

Ndërkaq, e pyetur nëse Kosova rrezikon t’i humbasë fondet në rast se nuk krijohen institucionet deri në qershor për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, Kos ka thënë se pagesat varen nga përmbushja e detyrimeve nga ana e Kosovës.

“Pra, ky Plan i Rritjes bazohet në një instrument të veçantë financiar me disa rregulla. Dhe rregullat janë që, nëse vendi juaj, Kosova, i zbaton detyrimet, atëherë mund t’i merrni pagesat. Jam shumë e lumtur që gjatë kësaj periudhe zgjedhore dhe periudhës së përkohshme, parlamenti juaj ka qenë në gjendje t’i ratifikojë dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat sërish e kanë bërë të mundur pagesën e parë, prej më shumë se 60 milionë eurosh”, ka theksuar Kos.

Çështjes së mungesë së stabilitetit dhe pasojave të kësaj i është referuar edhe Kurti.

“Kemi ratifikuar marrëveshjet e Planit të Rritjes, e miratuam edhe vendimin për sistemin e zbatimit dhe më 16 prill filluam të marrim para-financimin në vlerë prej 61.8 milionë euro. Gjashtë hapa të reformave janë konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe presim hapa të mëtejshëm deri në afatin e qershorit”, ka thënë Kurti. “Megjithëkëto, mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit që shkoi, por edhe tani, ka bërë që disa reforma të vonohen e tashmë po rrezikohen edhe për afatin e qershorit. Jemi duke punuar maksimalisht për të minimizuar ndikimin në reforma që po shkakton bllokada në Kuvend”.

Ai ka thënë se në vitet e fundit, Kosova ka avancuar në përgatitje në shumë kapituj. Sipas tij, progres është shënuar në nivel të moderuar të përgatitjes në 5 kapituj dhe në nivel të caktuar të përgatitjes në 8 kapituj të tjerë. Po ashtu, nga progresi i kufizuar në progres të theksuar, sipas Kurtit, është kaluar në 18 kapituj dhe nga progresi i theksuar në progres të mirë në 5 kapituj të tjerë. Këtë e ka cilësuar përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Ai ka folur edhe për të tjera arritje.

“Kemi kuadrin kushtetues më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Raporti i Këshillit të Evropës, për vlerësimin e aplikimit tonë për anëtarësim, thekson se kuadri ligjor i Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Kurti. 

Para komisioneres Kos, kryeministri u është referuar edhe statistikave për shtetin. 

“Në gjashtë vitet e fundit kemi avancuar 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndërkohë që këtë vit avancuam 15 pozita në Indeksin e Lirisë së mediave. Jemi të tretët në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore dhe të dytët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancim në sundimin e ligjit. Ekonomia jonë ka shënuar rritje vazhdimisht dhe është stabile në progres, me ngritje prej 4 për qind të bruto produktit vendor”, ka thënë ai.

Po kështu, ka theksuar se Kosova ndan vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe është plotësisht e rreshtuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. 

“E kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, kemi ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse”, ka rikujuar Kurti.

Gjatë konferencës ai ka theksuar se Kosova është shtet pro-aktiv dhe ka kontribuar edhe në integrimin ekonomik të rajonit. 

“Në CEFTA, në përfaqësimin tonë direkt për herë të parë, e kryesuam me sukses ndërkohë që edhe kaluam të gjitha protokollet e mbetura në Kuvend. Kemi pesë marrëveshje që kemi nënshkruar në Proces të Berlinit i cili tashmë është i lidhur ngushtë me Tregun e Përbashkët Rajonal. Ato marrëveshje duhen zbatuar. Bosnja dhe Hercegovina, siç e dini, ende nuk ka hequr vizat për Kosovën, ndërkohë që Serbia po mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave e cila është në përputhje të plotë me standardet dhe me direktivat e Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.

Kosova ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, ka liberalizimin e vizave, është pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe pjesë e instrumenteve të para-anëtarësimit të BE-së. Por, deri tash, nuk e ka statusin e vendit kandidat. 

BE-ja mbetet partner strategjik i Kosovës dhe donatori më i madh i saj. Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka investuar në Kosovë mbi 3.7 miliardë euro.

E, vizita e së premtes në Kosovë është e para për komisioneren për zgjerim në BE, që kur ka marrë detyrën në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos pati planifikuar vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të dekretit të nxjerrë nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.