Para ligjvënësve kryeministri Albin Kurti është krenuar për arritjet në ekonomi, në luftimin e korrupsionit dhe në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit. E opozita kritikoi Qeverinë për mosrezultat në politikën e jashtme, shkelje të Kushtetutës, për nënshkrimin e kontratave njëburimore e për migrimin masiv të qytetarëve jashtë vendit
Ngritjen ekonomike, luftimin e korrupsionit e shtrirjen e sovranitetit në veri, i ka vlerësuar si disa nga arritjet e kabinetit të tij kryeministri Albin Kurti, në seancën plenare të së hënës, ku është diskutuar projektrezoluta për katër vjet qeverisje e thirrur nga opozita.
Ky debat parlamentar është kërkuar dhjetë muaj më parë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për diskutim të qeverisjes trevjeçare. Por në pamundësi të mbajtjes së debatit, për shkak të mungesës së Kurtit dhe të kuorumit, kërkesa e fundit për debat është ndryshuar, duke përfshirë periudhën katërvjeçare të qeverisë.
Kryeministri Kurti në fjalimin e tij para deputetëve, që zgjati rrjet 50 minuta, ka thënë se shtrirja e sovranitetit në veri të vendit ka nxitur sulmet nga Serbia.
“Kemi mbyllur strukturat paralele të Serbisë, e kemi arritur që të gjithë qytetarët në komunat veriore t’i konvertojnë targat në RKS. Pikërisht ky sukses i shtetit tonë i përbashkët edhe në veri të Kosovës e ka rritur nervozën dhe agresivitetin në Beograd”, ka thënë Kurti.
Por, sipas opozitës, sukseset e ekzekutivit janë inekzistente. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, ka fajësuar qeverinë për migrimin e qytetarëve në shtetet perëndimore.
“Pra arsyeja e tyre që këta e kanë lënë Kosovën, që janë mbi 200 mijë, janë kryekëput ekonomike, ose paga ma e mirë, ose mungesa e vendit të punës, pra 92 për qind është për shkak të këtyre dyjave e 8 për qind bashkimi familjar”, ka thënë Tahiri.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për shkelje të Kushtetutës.
“Kjo qeveri është qeveria më rekorde e shkeljeve kushtetuese, përgjatë këtij mandati nëntë raste janë të konfirmuara në Gjykatën Kushtetuese si ligje antikushtetuese që në esencë kanë pasur një qëllim, kapjen e shtetit dhe dëmtimin e ekonomisë të lirë”, ka thënë ai.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se suksesi i Qeverisë është vetëm miratimi i doracakëve për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues.
“Në arsim ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, digjitalizimin e shkollave, avancimin e shkencës, asnjë projekt, asnjë realizim, dështimi, i vetmi sukses që ka pasur hartimi i udhërrëfyesve dhe doracakëve për fëmijët për edukatën seksuale…pra deri tani ky kryeministër mund të kualifikohet paaftësi, dështim, korrupsion”, ka thënë Gashi.
Kritika, ekzekutivi mori edhe për mungesë të rezultateve në politikën e jashtme. Por Kurti theksoi se ka përmbushur vetëm premtimet që i ka dhënë në fushatë.
“Duhet ta kuptoni edhe ju një gjë, as liberalizimi i vizave e as njohje të reja nuk i kemi premtuar në fushatë. Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi, kritikat e juaja duhet të mbështetën në premtimet gjatë fushatës”, ka thënë ai.
Deputetët e opozitës kanë thënë se Qeveria ka prishur raportet me ndërkombëtarët. Sipas tyre, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë duke refuzuar të takohen me Kurtin.
E kësaj iu kundërpërgjigj shefi i Ekzekutivit.
“Ju thatë që kryeministrit nuk i ka shkelur këmba në State Ddepartament, në Shtëpinë e Bardhë e kështu me radhë. Sekretarin Blinken ku e kam takuar? Në State Departament. Pra ne mund të debatojmë vetëm me fakte”, ka deklaruar Kurti.
Për këtë deklaratë të Kurtit është kundërpërgjigjur Tahiri i AAK-së, sipas të cilit, kryeministri është duke mashtruar për takimet me zyrtarët amerikanë.
“Fillimisht ju s’keni pasur kurrë ftesë për takim bilateral, ju edhe presidentja e Kosovës, keni shkuar t’i nënshkruani marrëveshjet me MCC-në edhe me ligj në SHBA, kryesuesi i MCC-në është sekretari Bliken, pra ju nuk keni qenë të ftuar”, ka thënë Tahiri.
Akuzat nuk munguan edhe për nënshkrimin e tenderëve njëburimorë. Kurti ka thënë se këta tenderë nuk janë të jashtëligjshëm, por janë nënshkruar me qëllimin që të gjendet cilësi më e mirë e me kosto më të ulët.
“Qeveria jonë nuk ka bërë punë të paligjshme, ekziston mundësia ligjore për të pasur cilësi më të lartë dhe kosto më të ulët përmes procedurës së negociuar të tenderimit, nuk bëhet fjalë as për sekrete, as për njëburimore”, ka thënë Kurti.