LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë masiv, Serbia synon të krijohen incidente

Pushteti i Serbisë synon të shkaktojë incidente gjatë manifestimeve të Vidovdanit, ka paralajmëruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se Policia dhe AKI-ja kanë informacione se tubimi synohet të jetë masiv dhe që me incidente, pushteti në Serbi do që ta zhvendosë vëmendjen nga protestat antiqeveritare, të cilat janë paralajmëruar në Beograd të njëjtën ditë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se tubimi i të shtunës për shënimin e Vidovdanit do të jetë masiv dhe se mund të shfrytëzohet nga pushteti në Serbi për të nxitur incidente në Gazimestan.

Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë të premten, Kurti ka thënë se paralajmërimin e ka të bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë, gjithashtu, edhe kundër vlerave demokratike e evropiane”, ka thënë ai.  

Sipas kryeministrit në detyrë, pushteti në Serbi do të bëjë përpjekje që me incidente gjatë shënimit të Ditës së Shën Vidit ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare, e cila do të zhvillohet të shtunën në Beograd. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që e cenojnë rendin dhe sigurinë në vend.

“U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, që ta respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që, gjithashtu, të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdo qoftë në ditën e nesërme”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se festa e Vidovdanit, “megjithëse me karakter fetar, fatkeqësisht vazhdimisht është përcjellë me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë”.

Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shfuqizuar vendimin e Komunës së Graçanicës për shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024. Në arsyetimin e gjykatës është theksuar se komuna i ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi që e ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor, ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se tubimet për Vidovdan duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”.

E, në Beogradin zyrtar, pretendimet e Kurtit i kanë kualifikuar si “të pabaza”.

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se Kurti po bën përpjekje që të “krijojë alibi për planet e veta shtypëse që synon t’i zbatojë nesër”, teksa e ndërlidhi atë me studentët protestues në Serbi.

“Ata e kanë të njëjtin qëllim dhe përpjekje: ta shkatërrojnë dhe ta copëtojnë Serbinë, ta dobësojnë popullin serb, dhe për këtë arsye as që po përpiqen më ta fshehin se janë në koordinim”, është shprehur Petkoviq.

Tubimet e serbëve për shënimin e Vidovdanit rëndom janë siguruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në Polici kanë njoftuar të premten se për ngjarjen e së shtunës janë planifikuar masa, në mënyrë që ajo të kalojë e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, ta shmangin çdo provokim të mundshëm, t’i respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezente me njësitë e saj për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm", është bërë e ditur në njoftimin e Policisë.

Vitin e shkuar, festimet e Vidovdanit në Gazimestan kanë kaluar pa ndonjë incident. Por, viteve paraprake ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare, ndërsa më 2023, Vidovdani nuk është festuar në Gazimestan, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri.

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili më 28 qershor 1989 nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”. Ky fjalim u pat parë nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që kanë pasuar në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Krahas paralajmërimit për ditën e shënimit të Vidovdanit, gjatë mbledhjes së ekzekutivit është vendosur të premten që të ndahen 626 mijë euro për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Sipas kryeministrit në detyrë, vendimi i marrë është dëshmi e lidhjes së qeverisë me shqiptarët e Luginës. “Në kuadër të memorandumit që e kemi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, do t’i ndajmë 626.400 Euro si mbështetje për arsimin dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se me mjetet e ndara do të mbështeten 756 studentë shqiptarë, që mësojnë në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkup e Stamboll. Po ashtu, sipas tij, mjete do të ndahen edhe për 97 fëmijë nga Lugina, të cilët kanë vështirësi familjare dhe për të lobuar për të drejtat e shqiptarëve, që shkelen nga shteti i Serbisë.

E, derisa u ka bërë thirrje që të mos bien pre e provokimeve, kryeministri në detyrë i ka njoftuar bashkatdhetarët se edhe këtë vit do t’u paguhen policat e sigurimit, e të cilat buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë 4 milionë euro.

“Me stinën e verës, të gjithë e dimë se vijnë edhe bashkatdhetarët tanë. Mirëseardhja jonë e parë për ta është në pikat kufitare. Edhe sivjet, sikurse viteve të mëparshme, duke filluar nga data 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund ta marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka thënë Kurti të premten.

Ai e ka mirëpritur edhe vendimin e vendeve anëtare të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, gjatë samitit të Aleancës Veriatlantike të mbajtur më 24-26 qershor në  Hagë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka rritur dhe po vazhdon t’i rrisë investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës, si dhe kontributin për sigurinë evropiane dhe më gjerë”, ka deklaruar ai.

Në mbledhjen e së premtes, Qeveria në detyrë e ka aprovuar shpronësimin e disa pronave në Han të Elezit e të cilat preken nga rindërtimi i fushës së futbollit, rregullimi i pronësisë për Fabrikën e Ujit, ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini dhe zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor. Prona janë shpronësuar edhe në Ferizaj.

Ka marrë miratim edhe nisma për lidhjen e protokollit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe të Lituanisë për Ripranimin e Personave pa Autorizim. Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet kësaj nisme lehtësohen procedurat për identifikimin dhe për kthimin e sigurt dhe të rregullt të personave që nuk i kanë përmbushur kushtet për hyrje ose qëndrim të ligjshëm në territorin e të dyja vendeve.