Kryeministri Albin Kurti, të hënën, nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar për rastin e rezervës shtetërore, me arsyetimin se është jashtë vendit. Nga Qeveria thanë se kryeministri është i gatshëm të presë prokurorët në zyrën e tij, në një datë kur do të pajtohen të dyja palët. Prokuroria ka pranuar arsyetimin e mosparaqitjes dhe ka njoftuar se do të caktojë një datë tjetër për intervistim
Kryeministri Albin Kurti ka marrë ftesë më 11 dhjetor nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar këtë të hënë lidhur me një rast, por ai nuk është paraqitur aty. E në ditën kur duhej të dëshmonte, kabineti i kryeministrit e njoftoi Prokurorinë se Kurti nuk do të paraqitet.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, që fillimisht pati fajësuar Prokurorinë se po tenton të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 2025-s, tha se kryeministri Kurti është jashtë vendit dhe se do ta akomodojë kërkesën e Prokurorisë – duke propozuar si vendintervistim objektin e Qeverisë.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së Prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”, shkruhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë.
Prokuroria Speciale në bazë të thirrjes për dëshmi që ka publikuar vetë zëdhënësi i Qeverisë e ka paralajmëruar kryeministrin se mund të gjobitet me 250 euro për secilën mosparaqitje dhe të burgoset nëse shpërfill thirrjen e Prokurorisë për të dhënë dëshmi pa dhënë arsye të qenësishme.
E zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, u shpreh se Prokuroria e ka vlerësuar të qëndrueshëm arsyetimin e Qeverisë për mosparaqitje. Sipas saj, do të caktohet një datë tjetër e përshtatshme.
“Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër... Përderisa është në udhëtim jashtë vendit për ne është në rregull, do ta bëjmë ftesën e radhës konform legjislacionit në fuqi”, tha Kozmaqi në konferencë për media.
Të hënën pasdite kryeministri Albin Kurti ka publikuar një fotografi ku shihet me filozofin slloven, Mladen Dolar. Një ditë më parë ai takoi zëvendëskryeministrin slloven, Luka Mesec, si dhe diasporën kosovare në Slloveni.
Numri i lëndës në ftesën që e kanë publikuar zyrtarët e Qeverisë përputhet me numrin e asaj për rezervat shtetërore, për të cilin rast u patën arrestuar vitin e kaluar biznesmeni Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.