Një javë pas pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik nga SHBA-ja, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi ka disa dallime me Uashingtonin. Ai tha se dallimet kufizohen vetëm te raportet me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale. Kurti insistoi se bashkëpunimi në fushën ushtarake dhe atë të zhvillimit është duke ecur mirë.
Qëndrimet në raportet me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj, janë dy fushat në të cilat Kosova ka dallime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë të premten kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Një javë më parë, Ambasada Amerikane ka njoftuar për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik.
E, në adresimin para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se ky zhvillim nuk nënkupton prishjen e raporteve.
“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substanciale në dy shtyllat tjera, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit”, ka thënë Kurti.
Tek foli për bashkëpunimin ushtarak, Kurti ka thënë se me administratën aktuale amerikane është duke ecur mirë procesi i blerjes së pajisjeve dhe municioneve.
E kur iu referua fushës së zhvillimit, kryeministri në detyrë ka përmendur heqjen e tarifës ndaj produkteve amerikane, si dhe vazhdimin nga administrata Trump, të programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën.
“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.
Të premten e javës së shkuar, Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se ka vendosur që ta pezullojë për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën. Sipas Ambasadës, vendimi është marrë pas shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë, e që siç thuhet në njoftim, kanë rritur tensionet dhe jo stabilitetin.