Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dialogun me Serbinë në mandatin e radhës.
ShBA-ja në shtator të vitit të kaluar pezulloi dialogun strategjik me Kosovën. Kurti thotë për KosovaPress se të gjithë zyrtarët që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme po punojnë intensivisht për largimin e pezullimit të dialogut strategjik.
Ai thekson se janë në komunikim të rregullt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të gjitha çështjet që janë të diskutueshme t’i sqarojnë. Sipas tij, në këtë mënyrë, edhe në aspektin diplomatik, t’i kenë marrëdhëniet e shkëlqyeshme.
“Ka pasur një pezullim të planifikimeve dhe përgatitjeve për dialogun strategjik. Ne, me kanalet tona zyrtare shtetërore, të gjithë zyrtarët shtetërorë që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme, punojnë intensivisht. Ne jemi në komunikim të rregullt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu në Prishtinë, në mënyrë që të gjitha ato çështje që janë diskutabile t’i sqarojmë dhe në këtë mënyrë edhe në aspektin diplomatik t’i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme, ashtu siç i kemi në aspektin e mbrojtjes dhe të sigurisë, por do të thosha edhe në aspektin e zhvillimit dhe të energjisë, sidomos tash që u vazhdua programi kompakt, nëpërmjet të cilit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit ne marrim 202 milionë dollarë grant, jo kredi, grant, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për bateri me kapacitet 170 megavat, e për dy orë mund të akumulojnë 340 megavat-orë, meqenëse energjia e ripërtërishme do të vazhdojë të jetë fokusi ynë në bazë të strategjisë, 1300 megavat shtesë deri në vitin 2031”, thekson ai.
Kurti, partia e të cilit ka fituar mbi 50 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, insiston se raportet me SHBA-në do të mbeten të forta.
Sa i përket dialogut me Serbinë në mandatin e radhës, Kurti thotë se do të insistojnë sërish për nënshkrimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.
Krahas kësaj, ai thotë se për të vazhduar dialogu duhet që kryeterroristi Milan Radoiçiq t’u dorëzohet organeve të sigurisë në Kosovë.
“Ne jemi për t’i zbatuar ato plotësisht, por ne kemi thënë që për të pasur garanci juridike dhe shprehje të vullnetit të mirë, duhet t’i nënshkruajmë. Kjo është refuzuar nga Serbia, ndonëse Bashkimi Evropian, plotësisht si ndërmjetësues, e mirëpret Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e zbatimit nga Ohri. Tash, për të vazhduar dialogu, ne duhet t’i zbatojmë marrëveshjet. Por për të vazhduar dialogu, natyrisht, ne kemi nevojë që Milan Radoiçiq, kryeterroristi që na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, t’u dorëzohet organeve të sigurisë në Kosovë, meqenëse ka aktakuzë me 160 faqe nga Prokuroria Speciale, së bashku me 44 paramilitarë të tjerë, të cilët deshën që në Banjskë të Zveçanit ta fillojnë një konflikt të përmasave të gjera, nga i cili ata shpresonin se do të mund të provokohej ndërhyrja e Serbisë për ta aneksuar veriun e Kosovës. Dështuan. Dështuan edhe me hedhjen në erë më pas të kanalit Ibër-Lepenc, për të cilin po ashtu ka aktakuzë, dhe do të dështojnë secilën herë. Veçse, marrëveshja për fqinjësi të mirë, evropiane, bazuar në marrëveshjen bazë të Brukselit dhe në aneksin e zbatimit nga Ohri, nuk mund të ecë përpara përderisa Milan Radoiçiq, sot që po flasim, është më i afërt me presidentin Vuçiç sesa edhe mbrojtja e tij e afërt”, thekson ai.
Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, në NATO, madje edhe në Bashkimin Evropian deri në përfundim të mandatit të tretë, Kurti është më i rezervuar, por thotë se Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta.
“Synimi ynë padyshim është që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Si Kosovë i kemi kryer të gjitha obligimet. Vetë fakti që me 82 për qind në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kemi kaluar, tregon që Kosova e ka përmbushur pjesën e vet. Tash kanë mbetur disa shtete skeptike, të cilat e përdorin influencën e tyre. Ndërkaq, besoj që jemi një shtet që do të anëtarësohemi më parë në NATO e më pas edhe në Bashkimin Evropian. Krejt çka dimë e mundemi do të bëjmë që të ecim sa më shpejt. Por sa i përket Bashkimit Evropian, fillimisht na duhet që ta marrim pyetësorin nga Komisioni Evropian, sepse kemi aplikuar para tre vjetësh për anëtarësim, e njëkohësisht na duhet edhe statusi i vendit kandidat. Më herët ishim i vetmi vend që nuk kishte liberalizim të vizave, kjo u bë në mandatin që shkoi. Tash kemi mbetur i vetmi vend që nuk e ka statusin e shtetit kandidat dhe këtë duhet ta bëjmë”, thekson ai.