Të punojnë në interes të shtetit e të qytetarëve, ishte porosia që ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ia ka lënë përbërjes së re të Qeverisë në krye me Talat Xhaferin. Pas dorëzim-pranimit të detyrës, Xhaferi tha se kushtetutën dhe ligjin do ta ketë referencë të secilit veprim e vendim që do të ndërmarrin.
Detyrën e kreut të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të hënën e ka pranuar edhe zyrtarisht Talat Xhaferi.
Pas votimit të qeverisë teknike një ditë më parë, ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski e ka pritur në ndërtesën e ekzekutivit kryeministrin e ri.
Pas takimit mes tyre, ish-kryeministri Kovaçevski tha se udhëheqja e Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë punë e lehtë në vitet e fundit.
Ka kërkuar nga udhëheqja e re që të punojë në të mirë të qytetarëve, të shtetit e në përputhje me kompetencat që kanë.
“Ftoj që qeveria dhe të gjithë në të pa marrë parasysh përkatësinë partiake të punojnë në interes të qytetarëve, të ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetit në vend, të interesit qytetar dhe shtetëror”, ka theksuar Kovaçevski.
E kryeministri i ri, Talat Xhaferi, tha se kushtetutën dhe ligjin do ta ketë referencë të secilit veprim e vendim që do të ndërmarrin.
Shtoi se ruajtja e avancimit të partneritetit me BE-në, NATO-n e SHBA-në do të jetë qëllim i qeverisë që do të drejtojë në 100 ditët e ardhshme.
“Për qeverinë ruajtja dhe promovimi i partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës së NATO-s dhe mbetja besnik e politikës së jashtme të sigurisë së BE-së nuk ka alternativë tjetër”, deklaroi ai.
Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, me 65 vota për. Ai është bërë kryeministri i parë shqiptar në këtë shtet derisa qeveria që do të drejtojë rol kryesor do të ketë organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.