Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita në Kosovë uron Talat Xhaferin

Krerët opozitarë në Kosovë kanë uruar Talat Xhaferin i cili sot mori pozitën e kryeministrit të Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka uruar Talat Xhaferin për postin e ri si kryeministër në Qeverinë e re teknike të Maqedonisë së Veriut.

Krasniqi ka uruar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për përpjekjet e tyre shekullore për barazi, duke thënë se ato po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në historinë e këtij shteti.

“Sot, në këtë ditë historike, të krenarisë dhe emocioneve të larta, i uroj mikut tim, Talat Xhaferit, emërimin si Kryeministër i Qeverisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sot, i uroj të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përpjekjet e tyre shekullore për barazi, drejtësi e faktorizim, po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të këtij shteti. Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike”, ka shkruar ai në Facebook.

Krasniqi ka shtuar se bazuar në eksperiencën, përkushtimin dhe përgatitjet e tij, Xhaferi do të jetë kryeministër i drejtë dhe kredibil për qytetarët në këtë vend gjatë mandatit të tij.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky është një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin.

“Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj. Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar”, ka shkruar ai.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka uruar Xhaferin në emër të të gjithë anëtarësisë së LDK-së, duke e cilësuar zgjedhjet e tij kryeministër si arritje historike.

“Le të jetë ky një inspirim për secilin shqiptar tjetër në këtë Republikë, në vazhdimin e kësaj rruge, tashmë të shtruar me plot dinjitet dhe sakrificë. Shqiptarët, si popull autokton, janë jo vetëm faktor stabiliteti në Maqedoni të Veriut, por dhe prijës të denjë në gjithë rrugëtimin euroatlantik për secilën shoqëri. Talat Xhaferi është i tillë”, ka shkruar ai në Facebook.

Artikuj të ngjashëm