Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kritikohet Osmani për mosshfrytëzimin e të drejtës për t’i falur të burgosurit

Mundësia e presidencës që t’i falë të burgosurit po kërkohet që të shfrytëzohet. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se kjo do të ndikonte në sjellje më të mira të të burgosurve dhe në ulje të numrit të të arratisurve. E ky vit është i treti me radhë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka falur asnjë të burgosur. Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot numri i kërkesave të parashtruara për falje nga personat dënuar është 469, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Mosshfrytëzimin e të drejtës së faljes të të burgosurve nga presidentja po e kritikojnë jurist e përfaqësues institucionesh për të drejta të njeriut.

Sipas avokatit Ardian Bajraktari, presidentja ka në dorë një sërë masash për falje që mund t’i aplikojë dhe që i parashohin ligji dhe Kushtetua.

“Falja në vetvete nënkupton lirimin e plotë apo të pjesshëm nga dënimi, zëvendësimin e dënimit më një dënim më të butë ose lirim me kusht. Po ashtu, përfshinë edhe çështjen e shlyerjes nga evidenca e të dënuarve”, tha Bajraktari.

Edhe Behxhet Shala, kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kritika ndaj institucionit të Presidencës sa i përket abstenimit nga kjo e drejtë që iu ofrohet.

Shala tha se në vit janë diku 300 deri në 500 kërkesa për falje.

Edhe Presidenca nuk tregon nëse do t’i shqyrtojë 91 kërkesat e të burgosurve për falje Arbëri Presidenca nuk tregon nëse do t’i shqyrtojë 91 kërkesat e të burgosurve për falje

Ai tha se shfrytëzimi i kësaj të drejte nga presidentja do të shtynte të burgosurit drejt sjelljeve më të mira.

Shala faljen e konsideron mëshirë nga shteti dhe se, sipas tij, kjo ndikon edhe te rritja e numrit të të arratisurve.

“Për ne si KMDLNJ është e pa kuptueshme, e pa pranueshme dhe jo normale që në mesin e 500 të burgosurve, për katër vjet mbi 2000 kërkesa që të mos të jetë një i vetëm i cili i plotëson kushtet për falje. Në konsiderojmë që ka shumë të burgosur, të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet për falje pa e rrezikuar situatën e sigurisë”, tha Shala.

E ky vit është i treti me radhë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk  ka falur asnjë të burgosur.

Edhe Mbi 450 kërkesa të të burgosurve për falje presin përgjigje nga presidentja Osmani Arbëri Mbi 450 kërkesa të të burgosurve për falje presin përgjigje nga presidentja Osmani

Lidhur  me këtë çështje KOHA ka kërkuar edhe koment nga zyra e presidentes Vjosa Osmani, por gjatë së dielës nuk ka marrë përgjigje.

Në Kosovë që nga viti 2009 ekziston Ligji për Faljen.