91 kërkesa i kanë shkuar në adresë Shërbimit Korrektues për t’u drejtuar tek Presidenca për faljen e një pjese të dënimit të mbetur të të burgosurve. Në Presidencë nuk treguan se si do të trajtohen kërkesat. E aktivistë të të drejtave të njeriut kritikuan presidenten Osmani për mungesë dekretesh për falje
Është viti i tretë me radhë që presidentja Vjosa Osmani nuk e ka falur asnjë të burgosur.
Për këtë fundvit 91 kërkesa i kanë shkuar në adresë të Shërbimit Korrektues për t’iu drejtuar Presidencës për të kërkuar faljen e një pjese të dënimit të mbetur.
Zyrtarë të Presidencës nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS, përkitazi me vendimin që do të merret në raport me kërkesat.
E, drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, tha se një përgjigje pozitive e presidentes Osmani do të ndikonte edhe në sjelljen e të burgosurve.
“Do të ishte mirë që kërkesat të burgosurve në përgjithësi të trajtohen dhe të respektohen, sepse vetëm këtë vit kemi 91 kërkesa, por ende nuk e kemi pranuar asnjë dekret nga presidentja. Do të ishte një motiv shtesë sikur presidentja do të shfrytëzonte këtë mekanizëm ligjor, natyrisht që të burgosurit të kenë edhe sjellje më të mira edhe motiv për jetë më shumë”, ka thënë Dibrani.
Përcaktimin e presidentes që të mos falur për kaq vjet të burgosur e ka kritikuar edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala. Sipas tij, falja ndikon në masë të konsiderueshme në risocializimin e të burgosurve.
“Është serioze dhe e papranueshme se si në mesin e kërkesave të mos gjendet asnjë që i plotëson kushtet për falje. Nuk ka shtet në botë, por edhe në regjimet diktatoriale që nuk e shfrytëzojnë një datë të caktuar feste pa një zhvillim apo një ndryshim të sistemit e që nuk i falin një numër të të burgosurve. Me këtë mosfalje realisht po ua marrin një të drejtë të burgosurve, po në njëfarë mënyre po e shpërfillni edhe një të drejtë, të cilën ua garanton Kushtetuta për faljen”, ka thënë ai.
Aktualisht në burgjet e Kosovës janë 1 mijë e 746 persona. Që nga viti 2009 e deri kur e ka marrë mandatin Osmani, mbi 300 të burgosur janë falur.