LAJMET E MBRËMJES

Krerët e institucioneve kërkojnë drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Të martën ka mbyllur punimet Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në disa panele diskutimesh, mes tjerash, është diskutuar edhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës e është bërë thirrje për përfshirje më të madhe të grave në sigurimin e paqes e të sigurisë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka konsideruar të domosdoshme krijimin e kushteve më të përshtatshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin për Gratë, Paqen e Sigurinë, Konjufca ka thënë se ata duhet të kenë qasje në drejtësi, në shërim e rehabilitim.

“Kurajo e forca e viktimave të këtij krimi çnjerëzor të luftës për ta ngritur zërin dhe për zbardhur të vërtetën pavarësisht sfidave dhe paragjykimeve është një frymëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Ato përveç dhimbjes që i ka përcjellë tash e 25 vjet, përballen vazhdimisht edhe me stigmën shoqërore dhe mungesën e padurueshme të drejtësisë, përderisa kryerësit e këtyre krimeve nuk e kanë marrë dënimin e merituar dhe shumica prej tyre janë të lirë”, tha Konjufca.

Konjufca ka theksuar edhe rëndësinë e dokumentimit të dhunës seksuale gjatë luftës, si mjet në përpjekjet institucionale për drejtësi e ngritje të vetëdijes shoqërore.

Në ditën e dytë të Forumit për Gratë, Paqen e Sigurinë, është bërë e ditur se iniciativa për gratë e dhunuara gjatë luftës “Thinking of You”, do të ekspozohet edhe në Hagë.

Pjesë e kësaj iniciative është bërë edhe presidentja Vjosa Osmani, duke dhuruar një fustan për këtë instilacion.

"Thinking of you” si instilacion që ka filluar para sa vitesh ka qenë mënyra më artistike për të shprehur dhimbjen, solidaritetin dhe mbi të gjitha për të shprehur fuqinë e jashtëzakonshme të gruas së Kosovës. Përmes këtij instilacioni që filloi në Kosovë dhe më pas u bashkua e gjithë bota ne treguam storje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, bëmë thirrje për drejtësi dhe po ashtu ngritëm zërin për gratë dhe vajzat në botë që po përjetojnë dhunë", tha Osmani. 
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është përmbyllur pasditen e së martës.
Gjatë punimeve dyditore të tij, përmes paneleve të ndryshme, është bërë thirrje për përfshirjen e grave në diskutimet për paqe e në ofrimin e sigurisë.

Rëndësi e veçantë i është kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Po ashtu është konkretizuar edhe nisma për themelimin e qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.