Dy vendime janë sponsorizuar nga ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, në raport me Serbinë. Për to, ajo tha se kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktikat e padrejta tregtare. Vendimet kanë të bëjnë me vendosjen e masave anti-damping për importin e farës së grurit dhe kufizimin sasior për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar të premten dy vendime të reja ndaj Serbisë, për të cilat ka thënë se kanë të bëjnë me vendosjen e masave antidamping për importin e farës së grurit dhe kufizimin sasior për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini.
Kusari-Lila tha se vendimet synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Më datën 4 qershor 2026, pra dje, kam marrë vendimin për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia. Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga një kompani prodhuese vendore e farës së grurit, e cila ka ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime damping, duke dëmtuar prodhimin vendor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është vendosur inicimi i hetimit zyrtar për të vlerësuar ekzistencën e praktikave të dampingut dhe ndikimin e tyre në industrinë vendore”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se kërkesa është bazuar në nenin 27 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe është analizuar me shumë kujdes nga Departamenti i Tregtisë duke ndjekur hapat e verifikimit paraprak të kërkesës, ashtu siç kërkohet me këtë ligj. Sipas saj, gjetjet e analizës preliminare tregojnë se ekzistojnë indikacione se importi i këtij produkti nga Serbia, përmes shitjes me çmime damping dhe në sasi të konsiderueshme, si dhe me cilësi të dyshuar, është duke shkaktuar dëme materiale ndaj industrisë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë.
“Analiza preliminare bazohet në zhvillimet e sektorit të prodhimit të farës së grurit në Kosovë, duke u mbështetur në të dhënat e siguruara gjatë hulumtimit te prodhuesit vendorë, pikat e shitjes me pakicë, të dhënat e importit nga Dogana e Kosovës, të dhënat mbi kapacitetet prodhuese dhe nevojat e tregut të siguruara nga MBPZHR, si dhe çmimet e shitjes në tregun e Serbisë. Nëse gjatë fazës së hetimit vërtetohen dyshimet për aplikimin e çmimeve të dumpingut dhe dëmi i shkaktuar ndaj industrisë vendore, atëherë, në përputhje me nenin 39 të Ligjit për Masat Antidumping dhe Masat Kundërbalancuese, si Ministre do të marr vendim për vendosjen e detyrimeve të përkohshme antidumping për mbrojtjen e prodhimit vendor”, ka thënë ajo. “Sipas dispozitave ligjore, këto masa mund të vendosen jo më herët se gjashtëdhjetë ditë dhe jo më vonë se nëntë muaj nga data e fillimit të hetimit”.
E, vendimin e dytë e ka marrë të premten, dhe e ka përcjellë për miratim në Qeveri. Ai ka të bëjë me vendosjen e një kuote sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Kosovës.
Ajo ka paraqitur kronologjinë e ngjarjeve dhe rrethanat që kanë bërë që vendimi të merret.
“Prej janarit të këtij viti, Departamenti i Tregtisë është njoftuar nga disa prodhues vendorë nga sektori i çimentos, metalit dhe çelikut për pengesa dhe kufizime të paraqitura gjatë eksportit të produkteve të tyre në tregun e Serbisë. Këto shqetësime vijën pas vendosjes se masave kufizuese sasiore nga autoritetet e Serbisë, përmes një rregulloreje që parasheh aplikimin e kuotave për produkte të caktuara të çelikut dhe materialeve ndërtimore. Kjo rregullore, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbetej në fuqi nga janari 2026 deri në fund të qershorit 2026, mirëpo jemi njoftuar përmes bizneseve se e njëjta rregullore pastaj është zgjatur më tej, duke përfshirë edhe vazhdimin e afatit të zbatimit të saj deri në dhjetor të këtij viti, si dhe duke rritur edhe gamën e produkteve dhe të sektorëve”, ka thënë Kusari-Lila. “Kjo masë ndikon drejtpërdrejt në eksportet e Kosovës në kuadër të Kapitullit 73 – Artikujt prej gize dhe çeliku, sektor në të cilin Kosova ka bilanc pozitiv tregtar në raport me Serbinë”.
Në përgjithësi si rezultat i këtyre barrierave të ministrja në detyrë i ka quajtur të pa justifikuara e të vazhdueshme, Kosovës vazhdon të përballet me disbalancë të konsiderueshme tregtare në raport me Serbinë.
Në vitin 2025, vlera e importeve totale nga Serbia ishte 234.8 milionë euro, ndërsa eksportet e Kosovës drejt Serbisë kanë qenë 61.5 milionë euro. Ndërsa, sa i përket vetëm kapitullit 73, për të cilat Serbia ka vendosur kuotë, Kosova ka bilanc tregtar pozitiv me Serbinë, konkretisht eksportet gjatë vitit 2025 arrijnë vlerën prej 14,556,438 eurosh, apo 20,567.9 tonë, ndërsa importet arrijnë vlerën prej 5,378,532 eurosh, apo 2,580.4 tonë.
Kusatri-Lila ka thënë se për arsyen që Kosova ka bilanc pozitiv tregtar, Serbia ka vendosur kuota.
“Sektori i metalit, përfshirë çelikun në Kosovë, ka rëndësi strategjike për industrinë dhe ndërtimin, si dhe është njeri nga sektorët prioritar në kuadër të Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030”, ka thënë ajo.
Ministrja në detyrë ka thënë se para se të merrej vendimi, janë ndjekur disa hapa: Departamenti i Tregtisë, si pikë kontaktuese e Kosovës për CEFTA, ka adresuar rastin pranë pikës kontaktuese të Serbisë, si dhe pranë Sekretariatit të CEFTA-s, ku ka është kërkuar që të hiqen masat e pajustifikuara, përveç nëse ofrohen sqarime të mëtejshme lidhur me përputhshmërinë e rregullores së Serbisë me Marrëveshjen CEFTA-së 2006. Në të kundërtën, ka njoftuar se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës do të përgjigjet me masa reciproke: Gjatë kësaj periudhe, rasti është adresuar edhe në bazën e të dhënave për barriera tregtare (MABD) në kuadër të CEFTA-s, mirëpo lidhur me këtë çështje nuk është ofruar ndonjë përgjigje nga pala serbe; Edhe në takimin e fundit të pikave kontaktuese të CEFTA-s, të mbajtur më 5 maj 2026 në Tiranë, përfaqësuesit e Kosovës e kanë ri adresuar këtë rast, por pa ndonjë rezultat konkret apo gatishmëri nga pala serbe për zgjidhje; Edhe ne takimi e fundit ndërministror të CEFA-s në Brukseli, Kusari-Lila ka ngritur ketë çështje, por pa ndonjë rezultat konkrete nga pala Serbe.
“Prandaj, duke marre parasysh këto, duke u bazuar Ligjit Nr. 08/L-021 për Tregtinë e Jashtme, nenin 4 të Ligjit Nr. 06/L-040 për Masat Mbrojtëse në Importe, si dhe në analizat dhe rekomandimet e Departamentit të Tregtisë, vendoset kuota sasiore ndaj Serbisë për importin e produkteve të klasifikuara në Kapitullin 76 – Alumini dhe artikujt prej tij. Kjo masë synon mbrojtjen e prodhimit vendor, rivendosjen e kushteve të drejta të konkurrencës dhe garantimin e trajtimit reciprok në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ajo.
Vendimi që do të dërgohet në Qeveri parasheh tri pika: Vendoset kuota sasiore ndaj Serbisë në importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës; Masa e kuotës zbatohet për produktet e importit me origjinë nga Serbia, të klasifikuara në Kapitullin 76 – Alumini dhe artikujt prej tij, sipas Nomenklaturës së Mallrave në Republikën e Kosovës; Kuota e importit caktohet në nivelin prej 30% të vëllimit total të importeve të produkteve të klasifikuara në Kapitullin 76 – Alumini dhe artikujt prej tij, me origjinë nga Serbia, të realizuara gjatë vitit 2025. Për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 31 dhjetor 2026, sasia maksimale e lejuar për import në kuadër të kuotës është 637.26 tonë. Importet që tejkalojnë këtë kuotë do t’i nënshtrohen tarifës doganore prej 50%; Obligohet Dogana e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi; Ky vendim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Pra, Serbia ka vendosur kuotë ndaj Kosovës për kapitullin 73 Artikujt prej gize dhe çelikut (Kapitulli 73), aty ku Kosova ka bilanc pozitive tregtare, ndërsa Kosova po aplikon kuotë ndaj Serbisë për Kapitullin 76 – Alumini dhe artikujt prej tij, sepse këtu kemi bilanc negative tregtare. Vlen të theksohet se që të dy këta kapituj bëjnë pjesë te sektori i metaleve dhe produkteve te metaleve”, ka thënë Kusari-Lila/
Gjatë vitit 2025, importi i produkteve të klasifikuara në Kapitullin 76 me origjinë nga Serbia, ka arritur vlerën prej 17,081,801 euro apo 2,124.2 tonë. Në të njëjtën periudhë, eksportet e Kosovës drejt Serbisë në këtë kategori kanë arritur vlerën prej vetëm 2,720,560 euro apo 594.704 tonë.
Gjatë dekadës së fundit, Kosova ka ndërmarrë disa herë masa ekonomike ndaj Serbisë, kryesisht në formën e tarifave dhe reciprocitetit tregtar.
Në vitin 2018, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj fillimisht vendosi tarifë 10 për qind dhe më pas 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, si përgjigje ndaj pengesave tregtare dhe fushatës së Beogradit kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kjo masë mbeti në fuqi deri në vitin 2020, kur qeveria e Albin Kurtit e zëvendësoi me masa reciprociteti, duke kërkuar që dokumentacioni dhe certifikatat e mallrave serbe të përputheshin me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.