Me dhjetëra persona iu bashkuan të premten marshit të mbajtur në Prishtinë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Marshit i prinë dy të mbijetuarat e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani
Shënimin e 14 Prillit si ditë force dhe kuraje për përçimin në botë të zërit të të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë e kërkoi të premten e mbijetuara e përdhunimit nga forcat serbe, Vasfije Krasniqi-Goodman, në një marsh të mbajtur në Prishtinë.
Me moton: “Të rinjtë në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës”, marshi i nisur nga sheshi “Ibrahim Rugova”, e i përmbyllur te monumenti “Heroinat”, u mbajt me rastin e caktimit të 14 Prillit si ditë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPrej aty, të mbijetuarat e përcollën porosinë që përjetimet e viktimave të mos mbesin të padëgjuara.
“14 Prilli për shumicën është vetëm një ditë. Për mua është një ditë që është e pabesueshme për atë që më ka ndodhur. Këtë ditë dua ta shënoj në forcë, kurajë që t’u jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet në të gjithë botë se çka ka bërë Serbia në Kosovë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.
Mesazh të përafërt dha edhe e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri.
“Kjo ditë e 14 Prillit është historike dhe ne e dimë se historia kurrë nuk vdes. Brez pas brezi ne do të jemi të gjallë”, ka thënë Tahiri.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.
“U bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre dhe në këtë mënyrë të kenë qasje në mbështetjen shtetërore të ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka qenë thirrja e ministres Haxhiu.
Ndërkaq, Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, e kualifikoi 14 Prillin si ditë të bashkimit të të gjithë zërave, në dënim të shndërrimit të dhunës seksuale në armë lufte.
“Sot Vasfija, Shyhretja, por edhe të gjithë ata burra e gra janë zëri ynë. Siç e ka thënë presidentja Osmani në propozimin e saj për caktimin e kësaj dite, shënimi i 14 Prillit do të jetë vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë. Sot të jetë bashkim i zërave tanë për ta dënuar dhunën seksuale si armë të luftës”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
E para mbajtjes së marshit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe para monumentit “Heroinat”, duke i nderuar rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.
14 Prilli u caktua ditë memoriale për të mbijetuarat e dhunës seksuale, me propozim të presidentes Osmani. Dita përkon me datën kur më 1999, Vasfije Krasniqi, atëbotë 16-vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dhunua seksualisht në fshatin Babimost.