Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka pranuar ta ketë dhënë miratimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Në konferencën e fundivitit Isufaj iu kundërpërgjigjur edhe kritikës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me mungesën e aktakuzës për ngjarjen e Banjskës
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, konfirmoi se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, lidhur me përfshirjen në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në konferencën e fundvitit Isufaj, pa i përmendur arsyet, tha se urdhërarresti ndaj Radoiçiqit është tërhequr për një kohë, porse më pas është rikthyer.
“Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili ndërkohë iu ka rikthyer.... Pa miratimin tim nuk kishte mundur me ndodhë. Nuk diskutohet kjo. Unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyen pse e kam dhënë nuk mund ta bëj publike. Pikë. Këto janë çështje të ndjeshme”, tha Isufaj.
Prokuroria Speciale e pati kërkuar më 19 shkurt të 2021-s revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit teksa Gjykata e aprovoi këtë kërkesë më 23 shkurt të atij viti.
Urdhri për arrestim u pati lëshuar në gusht të 2020-s, nën dyshimin se Radoiçiqi ishte pjesë e grupit të organizuar kriminal të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit. Radoiçiqi së fundi ka pranuar ta ketë organizuar grupin e armatosur serb që ndërmori sulm ndaj Policisë në Banjskë.
Në konferencë Isufaj iu kundërpërgjigj edhe kritikës së kryeministrit Albin Kurti rreth mosngritjes së aktakuzave nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e Banjskës.
“Pyetjes për kryeministrin, as që dua ta komentoj sepse nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave, është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet dhe nuk mund të na tregojë askush se kur ne duhet të ngrisim aktakuza ose kur duhet t’i pushojmë hetimet”, tha ai.
Isufaj theksoi se Prokuroria Speciale është treguar efikase në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit financiar duke përfunduar 95.2 për qind të rasteve.
Ai njoftoi se gjatë 2023-s ky institucion i drejtësisë ka regjistruar 306 lëndë teksa shtoi se punë e madhe është bërë edhe në luftën kundër terrorizmit. Numëroi edhe ballafaqimin me raste të profileve të ndryshme, në të cilat të dyshuar kanë qenë zyrtarë të lartë shtetërorë.