Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

I dyshuari për therjen e 4 personave në Ferizaj ishte i dënuar për vrasje

Burri që dyshohet se të hënën theri me thikë katër persona në Ferizaj ka qenë më parë i dënuar për vrasjen e një gruaje. 

Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë thënë se fillimisht është arrestuar një person tjetër gabimisht, meqë ai i ishte përshtatur profilit të të dyshuarit. 

Zëdhënësja e Prokurorisë, Vjosa Baftiu, ka treguar të martën se i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit prej 48 orësh do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij.

“Rasti i parë i therjes i dy të miturave ka ndodhur në rrugën ‘Rifat Berisha’, më pas i njëjti ka vazhduar në lokacionin, konkretisht në rrugën ‘Enver Topalli’, ku ka sulmuar viktimën e tretë dhe më pas ka vazhduar në rrugën ‘Halim Spahia’ dhe ka sulmuar edhe viktimën e katërt”, ka thënë Baftiu.

KOHA ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Ferizaj lidhur me të kaluarën kriminale të të dyshuarit F.I., se sa ka qëndruar në burg, kur është liruar dhe a është rehabilituar gjatë kohës së qëndrimit prapa grilave. 

Edhe Arrestohet i dyshuari për therjet në Ferizaj, ishte dënuar për vrasjen e një gruaje Kronikë Arrestohet i dyshuari për therjet në Ferizaj, ishte dënuar për vrasjen e një gruaje

Në përgjigjen e Gjykatës thuhet se ende nuk është bërë identifikimi zyrtar i të dyshuarit.

“Deri më tani Gjykata Themelore në Ferizaj nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj lidhur me të dyshuarin, të cilin ju e keni cekur dhe për këtë arsye ne nuk mundemi të ofrojmë ndonjë përgjigje pasi që ende nuk është bërë i ditur identifikimi zyrtar i të dyshuarit, sepse për të identifikuar aktgjykimet e plotfuqishme ndaj të njëjtit do të duhej të kishim të dhëna më shumë se emri dhe mbiemri”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Dy nga katër viktimat e sulmit të së hënës i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Drejtori i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka, ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është stabile, ndonëse kanë marrë plagë serioze.

Edhe Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjet në Ferizaj Kronikë Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjet në Ferizaj

“Lëndimet janë serioze, janë lëndime në regjionin e gjoksit, të cilat kanë prekur edhe indin e mushkërisë, arsye të cilat kanë qenë këto për ndërhyrje kirurgjike. Për momentin që të dy pacientët rezultojnë të jenë në gjendje relativisht stabile sa u përket parametrave vitale dhe ata vazhdojnë që të marrin trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor, duke qenë të monitoruar tërë kohën dhe duke qenë të kyçur në aparaturën mjekësore”, ka deklaruar Uka.

Dy të lënduarit e tjerë, një vajzë e mitur dhe një burrë, mjekimin e kanë marrë në Spitalin e Ferizajt.