LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Kosova të zbatojë obligimet - Mandl: Ndërmjetësimi nga BE-ja duhet përmirësuar

Kërkesa për Kosovën kanë bërë të hënën përfaqësuesit diplomatikë. Gjatë një konference njëditore të mbajtur në Prishtinë, udhëheqësve shtetërorë u është kërkuar që t’i dëgjojnë këshillat që u jepen e t’i zbatojnë obligimet e marra në dialog. Por në konferencë pati kritika edhe për BE-në si ndërmjetëse

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, iu ka kërkuar liderëve të Kosovës që t’i marrin parasysh këshillat që u jepen.

Hovenier në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, tha se duan të shohin përparim të Kosovës në rrugën evropiane.

Sipas tij, e vetmja mënyrë është përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë progresin e Kosovës, nuk do ta sfidojë këtë si mundësi. Ajo që mund të them është strategjia më e mirë në rrethana të tilla për Kosovën është të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm, kreativitet, energji, përkushtim dhe implementim të obligimeve të cila i ka marrë që i ndihmojnë procesit për të shkuar përpara”, theksoi Hovenier.

Por për të zhvilluar dialogun, sipas ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duhet angazhim nga të dyja palët.

“Kur e ke njërën palë që është kundër dialogut dhe e tregon me veprime konkrete si ngjarja e 24 shtatorit kur kishim një akt sulmi kundër Kosovës apo agresionit kundër Kosovës dhe ne pretendojmë se kemi dialog në Bruksel, atëherë çdo nxënës në shkollë do ta kuptojë se kjo nuk është ajo që mësohet në shkollë dhe në universitet për dialogun si proces, sepse dialogu nënkupton angazhimin e dy palëve me një synim që të arrihet një e ardhme më e mirë se sa ajo që ekzistonte në të kaluarën dhe në të tashmen”, tha Gërvalla.

Zbatimin e obligimeve të marra e ka kërkuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

E eurodeputeti Lukas Mandl, duke folur për procesin e dialogut, u shpreh se duhet ndërmjetësim më i mirë nga Bashkimi Evropian.

“U takon partnerëve brenda dialogut që të diskutojnë siç duhet dhe të arrijnë rezultate, por moderimi nga ana e BE-së mund të jetë më i mirë dhe duhet të jetë më i mirë dhe natyrisht, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të bëhet më i mirë. Unë do të punoj në mënyrë parlamentare mbi rekomandimet për Komisionin Evropian për të vendosur një moderim më të mirë për këtë proces”, deklaroi ai.

Konferenca 1-ditore u organizua nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë me mbështetjen e FES-it.