Arbëri

Hovenier pret dinamizim të dialogut, në BE s’tregojnë nëse do të ndryshojnë qasje

DIALOGU KOSOVË-SERBI

Ambasadori amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, shprehu pritjen për përparim real në zbatimin e marrëveshjes bazë të dalë nga dialogu, tek ua rikujtoi palëve obligimet të cilat i presin më 2024. Pas refuzimit të Serbisë që t’i zbatojë të gjitha pikat e dakorduara në Bruksel dhe në Ohër, në BE nuk treguan nëse synojnë të ndërrojnë strategji në këtë dialog.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua rikujtuan palëve obligimet që i presin në dialog gjatë 2024-s, tek paralajmëruan se procesi duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në adresimin e fundit të vitit tha se me gjithë pengesat, nuk do të ndalet përkushtimi në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.

“Më 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës e Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i marrëveshjes bazë dhe i aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje”, tha Hovenier.

Së fundi, Serbia shënoi hapa prapa në këtë rrafsh, duke e njoftuar BE-në se nuk do t’i zbatojë të gjitha obligimet nga marrëveshja bazë dhe aneksi i Ohrit.

Në zyrën e ndërmjetësit, Miroslav Lajçak, nuk treguan nëse e kanë opsion ndryshimin e qasjes në dialog, për ta bërë të zbatueshme marrëveshjen.

Kryeministri Albin Kurti e pati kushtëzuar zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e dokumenteve të dialogut.

E në mungesë të rezultateve në këtë proces, udhëheqësit shtetërorë në Kosovë thanë se prioritet është siguria e vendit teksa paralajmëruar që Serbia po përgatit sulm tjetër në veri.

Duke iu referuar situatës aktuale, eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka vlerësuar se gjithçka është e pritshme. Ai konsideron se problemi qëndron tek presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po përballet me protestat e opozitës, shkaku i dyshimeve për keqpërdorimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

“Qasja më e mirë është të jesh i përgatitur. NATO-ja duhet të jetë e gatshme dhe e vullnetshme për t’iu përgjigjur çfarëdo sulmi ushtarak. Vuçiqi po demonstron, pa mëdyshje, kredencialet e tij autokratike. Ai zhvilloi zgjedhje të padrejta dhe mashtruese ndërsa tani po përpiqet ta shkatërrojë opozitën, të cilën e mashtroi. Ka shumë arsye të mira që opozita të protestojë atje. Vetë Vuçiq ka shkaktuar telashe”, tha Serwer.

Me gjithë paralajmërimin e BE-së se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e Serbisë varet nga implementimi i marrëveshjeve, sivjet nuk gjeti përmbushje asnjëra prej pikave.