“Hill mund të ketë të drejtë kur citon disa evropianë, por Hovenier ka të drejtë në parim. Hilli ka miratuar vazhdimisht qëndrimin e Beogradit. Hovenier është shumë më afër asaj që unë mendoj se qëndrimi i SHBA-së është dhe duhet të jetë. Por më mirë nëse dikush në Departamentin e Shtetit e sqaron këtë çështje”, ka thënë profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins, Daniel Serwer
Profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer ka thënë se më shumë sesa qëndrimin e qeverisë amerikane, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, e paraqet qëndrimin e Beogradit zyrtar.
Hill u shpreh këtë javë se Serbia nuk do ta ketë kusht njohjen e Kosovës, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), por vetëm normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
E në një përgjigje për KOHËN, duke komentuar këto deklarata, Serwer tha se Hovenier është më afër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara (SHBA).
“Hill mund të ketë të drejtë kur citon disa evropianë, por Hovenier ka të drejtë në parim. Hilli ka miratuar vazhdimisht qëndrimin e Beogradit. Hovenier është shumë më afër asaj që unë mendoj se qëndrimi i SHBA-së është dhe duhet të jetë. Por më mirë nëse dikush në Departamentin e Shtetit e sqaron këtë çështje”, ka thënë ai.
Por, një ditë më parë, në një përgjigje për KOHËN, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu qëndrimin se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është synim i SHBA-së.
“E ardhmja e të dyja vendeve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është njohja eventuale e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në përgjigje.
E Serwer vlerësoi se do të ishte e paarsyeshme nëse Serbia do të anëtarësohej në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës.
“Do të ishte tepër marrëzi që BE-ja ta bënte Serbinë një shtet anëtar pa një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të të gjitha çështjeve në lidhje me Kosovën. Kjo duhet të përfshijë njohjen zyrtare diplomatike. Në praktikë, secili nga 27 shtetet anëtare të BE-së mund ta bllokojnë pranimin e Serbisë pa njohjen e Kosovës. Unë pres që më shumë se një, dhe ndoshta shumë shtete do të jenë të përgatitura për ta bërë këtë”, ka thënë ai.
Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd nxiti reagime edhe në Kosovë, por edhe te diplomatë të akredituar në Prishtinë. Ambasadori gjerman ka thënë të premten se është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.