Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë që 85 deputetët e legjislaturës së 10-të, që kanë punuar vetëm dy muaj e gjysmë, të marrin paga edhe për një vit të tërë nga 2 mijë euro në muaj. Haxhiu ka thënë se është e gatshme për ndryshimin e ligjit nëse ka iniciativa të tilla
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të mërkurën të padrejtë që deputetët që punuan vetëm dy muaj e gjysmë, të marrin pagën kalimtare edhe për një vit, nga dy mijë euro në muaj.
Një ditë më parë, KOHA raportoi se 85 deputetë u deklaruan para Kuvendit se nuk kanë të ardhura të tjera financiare, në mënyrë që të përfitojnë pagën kalimtare për 1 vit, pa punuar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNëse ata nuk rizgjidhen si deputetë më 7 qershor, pagat e tyre mund t’i kushtojnë buxhetit rreth 2 milionë euro.
Pas mbledhjes së kryesisë, e cila dështoi të mërkurën në mungesë kuorumi, Haxhiu tha se, ndonëse kjo pagë është e ligjshme, nuk është e drejtë. Ajo po ashtu tha se është gati të diskutojë për ndryshimet e Ligjit për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nëse ka iniciativa.
“Nuk ka kuptim që një deputet të mos jetë as 6 muaj deputet dhe në anën tjetër të marrë pagë kalimtare një vit sa e parasheh legjislacioni në fuqi. Por jam shumë e gatshme që në të ardhmen nëse ka iniciativa që dëshirojnë t’i ndryshojnë këto rregullime ligjore që ne kemi gjetur prej kohësh këtu, atëherë jemi shumë të hapur që t’i diskutojmë”, ka thënë Haxhiu.
Vetëm në partinë e Haxhiut, në Vetëvendosje, të papunë janë deklaruar 46 deputetë.
Në PDK 13, në LDK 8, në AAK 6, nga pakicat joserbe 10 e nga Lista Serbe 2.
Pagën kalimtare janë duke e marrë edhe 15 deputetë të legjislaturës së parafundit, të cilët sipas Gjykatës Kushtetuese as nuk e patën konstituuar Kuvendin, por aktgjykimi ishte nxjerrë pa efekt prapaveprues.
E këtë pagë kalimtare, madje në mënyrë retroaktive, Kryesia e Kuvendit ka vendosur t’ia japë edhe Fadil Gashit, deputet i legjislaturës së 8-të, i cili mandatin e ka përfunduar në mars të vitit të kaluar.
Paga kalimtare jepet që nga dita e përfundimit të mandatit për 12 muaj nëse deputetët nuk realizojnë të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër apo nuk pensionohen.
E pyetur se çfarë baze ligjore ka vendimi dhe nëse krijohet precedent që këtë pagë ta kërkojnë kur të duan deputetët, Haxhiu tha se në kryesi kërkesa e ish-deputetit Gashi, është miratuar pa votën e saj dhe të kolegut nga Vetëvendosje.
“Ne kemi kërkuar një mendim juridik nga Administrata e Kuvendit dhe opinioni që ne kemi pranuar nga Administrata e Kuvendit nuk na ka udhëzuar që ta miratojmë një pagë të tillë. Prandaj unë kam abstenuar. Vota ime ka qenë abstenim. Vota e nënkryetarit Gola ka qenë abstenim. Por anëtarët e tjerë të Kryesisë së Kuvendit kanë votuar për prandaj edhe ka kaluar”, ka thënë ajo.
Që 11 ditë, KOHA ka kërkuar nga Kuvendi transkriptin e mbledhjes së kryesisë ku është marrë vendimi për miratimin e pagës për ish-deputetin Gashi, për të parë se si është arsyetuar ligjërisht, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.