Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 14 paga për dy muaj e gjysmë punë - 85 deputetë deklarohen të papunë

Kuvendi zgjedh dy anëtarë të KGJK-së

Foto: Driton Paçarada

85 deputetë të legjislaturës së 10-të janë deklaruar para Kuvendit të Kosovës se nuk kanë të hyra të tjera financiare në mënyrë që ta marrin pagën kalimtare prej 2 mijë eurosh në muaj. Ata kanë punuar për 2 muaj e gjysmë dhe pavarësisht kësaj, kompensimin kalimtar do ta marrin për 12 muajt e ardhshëm në rast se nuk rizgjidhen.

Për dy muaj e gjysmë sa punuan dhe u paguan, deputetët e legjislaturës së 10-të do t’i marrin edhe 12 paga shtesë nga 2 mijë euro në muaj nëse nuk fitojnë ulëse sërish. 

Menjëherë pas shpërndarjes së kësaj legjislature, 85 deputetë u deklaruan para Kuvendit të Kosovës se nuk kanë të ardhura të tjera financiare, në mënyrë që të përfitojnë pagën kalimtare për 1 vit, pa punuar.

Këtë pagë, që është në vlerën e pagës bazë, ua mundëson për një vit, Ligji për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, që nga dita e përfundimit të mandatit nëse nuk realizojnë të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër apo nuk pensionohen.

Për punën prej dy muaj e gjysmë që bënë, 120 deputetët morën 350 mijë euro.

E për 12 muajt e ardhshëm, nëse nuk rizgjidhen, pagat e 85 deputetëve që u paraqitën si të papunë, mund t’i kushtojnë buxhetit 1 milion e 975 mijë euro.

Edhe Mbi gjysmë milioni euro shkuan në pagat e deputetëve për dy muaj e gjysmë punë Arbëri Mbi gjysmë milioni euro shkuan në pagat e deputetëve për dy muaj e gjysmë punë

Për këtë pagë aplikuan 46 deputetë nga Vetëvendosje, përfshirë shefen e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, pastaj Rozeta Hajdari, Shqipe Mehmeti Selimi, Fatmire Kollçaku, Hysen Durmishi, e Avni Dehari që është afër 80 vjeç dhe të cilit i takon pensioni.

Në PDK, këtë pagë e kërkuan 13 deputetë, në mesin e tyre edhe kryetari i Partisë, Bedri Hamza, shefi i grupit parlamentar, Arian Tahiri, e deputetët Elmi Reçica, Mërgim Lushtaku e Blerta Deliu.

Në LDK aplikuan 8 deputetë, në mesin e tyre shefja e grupit parlamentar, Jehona Lushaku, pastaj Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Lutfi Haziri e Doarsa Kica Xhelili. 

Në AAK këtë pagë aplikuan ta marrin të 6 deputetët, përfshirë Ramush e Daut Haradinajn.

Ndërsa nga pakicat joserbe aplikuan 10 deputetë e nga Lista Serbe dy.

Edhe Për 77 ditë mandat, mbi gjysmë milioni euro shkuan në paga për deputetët Arbëri Për 77 ditë mandat, mbi gjysmë milioni euro shkuan në paga për deputetët

Këta deputetë, mandati i të cilëve përfundoi më 28 prill, miratuan krejt 11 ligje e 24 marrëveshje ndërkombëtare.

Ata mbajtën më shumë seanca të jashtëzakonshme sesa plenare.

“Gjatë Legjislaturës X Kuvendi ka mbajtur 24 seanca, prej tyre,  8 seanca plenare, 11 seanca të jashtëzakonshme plenare, 3 seanca solemne dhe 2 seanca të veçanta (përkujtimore)”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Pos për pagat direkte të tyre, buxheti u shpenzua edhe në forma të tjera për ta.

Edhe Kuvendi “si bankomat”, 67 deputetë deklarohen të papunë për të marrë paga edhe një vit Arbëri Kuvendi “si bankomat”, 67 deputetë deklarohen të papunë për të marrë paga edhe një vit

Për pagat e asistentëve që deputetët i angazhuan, nga shkurti deri në prill, u shpenzuan nga buxheti 190 mijë euro.

Kjo legjislaturë që u shpërnda pasi nuk arriti ta zgjedhë presidentin, i la pa i miratuar 10 projektligje.