Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-deputeti Fadil Gashi ia kërkon Kuvendit 12 pagat që s’i mori pas mandatit

Kuvendi - 10 prill

Foto: Driton Paçarada

Një vit pasi e përfundoi mandatin, ish-deputeti nga komuniteti rom, Fadil Gashi, u kujtua që t’ia kërkojë Kuvendit pagën kalimtare.

Ky kompensim kalimtar garantohet me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe që nga dita e përfundimit të mandatit, atij i takon të marrë pagë mujore bazë për 12 muaj rresht, nëse nuk punon a nuk pensionohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gashi që ishte deputet i para dy legjislaturave, ka thënë nuk ka qenë i informuar për këtë të drejtë deri në ditët e fundit të afatit kompensues.

Legjislatura e 8 e përfundoi mandatin më 22 mars të 2025-tës, e ish-deputeti Gashi kërkesën e bëri më 3 mars të 2026-tës.

Ajo iu shqyrtua në mbledhjen e kryesisë më 30 mars, por vendimi për të nuk u mor.

“Ai (ish-deputeti Fadil Gashi) në shkresën e drejtuar Kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se nuk ka punë tjetër dhe nuk ka asnjë pagë, si dhe nuk është njoftuar nga Kuvendi për aplikim të pagës kalimtare, por rastësisht e ka kuptuar nga deputetët e tjerë, të cilët ishin duke e marrë pagën kalimtare. Prandaj, sipas tij, ka mbetur pa e realizuar pagën kalimtare”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Por, ndryshe nga Gashi, kryetarja e Kuvendit ka thënë në këtë mbledhje se deputetët e asaj legjislature ishin njoftuar me shkrim në fillim të marsit që të deklaroheshin për këtë kompensim, gjë të cilën ish-deputeti nuk e kishte bërë dhe është hequr nga lista e pagës kalimtare.

Sipas procesverbalit, pas diskutimeve, kërkesa e Gashit është shtyrë që të trajtohej në mbledhjen e radhës, por as kjo nuk u bë.

Në Kuvend thanë se kryesia ende nuk ka marrë vendim mbi këtë kërkesë.

“Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur për kërkesën e deputetit të Legjislaturës VIII, Fadil Gashi, për pagesën e pagës kalimtare pas përfundimit të mandatit”.

Një muaj pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së nëntë, 67 deputetë u deklaruan para Kuvendit si të papunë, për të realizuar pagën kalimtare mujore prej 1914 eurosh.

Rizgjedhja e shumicës prej tyre e uli dukshëm këtë numër.

Sipas Kuvendit, aktualisht pagën kalimtare janë duke e marrë 15 ish-deputetë, 6 të PDK-së, 6 të LDK-së, një i Nismës dhe dy nga komunitetet.

“Aktualisht të drejtën në pagë kalimtare janë duke e gëzuar 15 ish-deputetë: Abelard Tahiri, Alban Zogaj, Albert Kinolli, Altin Krasniqi, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Eliza Hoxha, Fatmir Limaj, Fidan Jilta, Hysen Çekaj, Kosovare Murseli, Krenar Xhaferi, Memli Krasniqi, Paris Guri dhe Rashit Qalaj”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Nga PDK ndonëse nuk u rizgjodhën, tre deputetë nuk kanë aplikuar për këtë pagë, Jakup Nura, Fadil Demaku e Xhevahir Geci.

Në LDK - Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Serbeze Muçaj.

Nga AAK - Lahi Brahimaj e nga Nisma - Xhevahire Izmaku dhe Arbresha Krasniqi.

Nga Lista Serbe nuk aplikoi për këtë kompensim, Zlatan Elek, Sergjan Popoviq dhe Stefan Kovaqeviq.