LAJMET E MBRËMJES

Drejtori i Policisë thotë se fajdexhinjtë kanë gjetur mënyrën për ta legalizuar fajdenë

Gazmend Hoxha

Foto: Driton Paçarada

Legalizimi i fajdesë është sfida më e re e Policisë së Kosovës, për të cilën drejtori i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, kërkoi ndihmën e Parlamentit, po sa të konstituohet. Në Raportin e Policisë të vitit 2025, i prezantuar të mërkurën, si problem u theksua edhe rritja e përdorimit të drogës te të rinjtë

Fajdetë, droga, dhe aksidentet e trafikut janë problemet më të mëdha, me të cilat po përballet Policia. 
Në sallën e Kuvendit Komunal të kryeqytetit, të mërkurën, Drejtoria Rajonale për Prishtinë prezantoi raportin vjetor për vitin 2025. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se fajdexhinjtë kanë gjetur një mënyrë të sofistikuar për ta legalizuar aktivitetin ilegal. 

“Fajdexhinjtë, në bashkëpunim me viktimat, sepse viktimat ndonjëherë prej telasheve dhe prej zorit, shkojnë te noterët dhe noterizojnë marrëveshjet për fajdenë. Për këtë besoj që legjislativi i ardhëm do ta ndryshojë Kodin Penal”, tha Hoxha.

Gjithashtu kërkoi nga komandantët dhe policët që në kuadër të luftës ndaj fajdesë vëmendjen ta vendosin edhe tek Autosallonet.

“Problemet me sallonet e kerreve, shitjet e kerreve dhe këto në bazë të informacioneve që i kemi janë të përfshirë në këtë muhabet”, deklaroi Hoxha.

Ai kërkesë pati edhe për Komunën e Prishtinës, për ndarjen e një hapësire diku në mes të Shkollës së Mjekësisë dhe rrugës “B” për ndërtimin e Stacionit Policor Jugu, i cili tani është i vendosur në ish-hotelin Victory.

“Një kërkesë e kam për kryetarët e komunave, sidomos për Prishtinën ne kemi problem me hapësira. Ju e dini se disa herë kemi komunikuar me juve sidomos për çështjen e hapësirës në veçanti për stacionin policor më të madhin në Kosovë që është Stacioni Policor Jugu”, tha Hoxha.

E drejtori i policisë për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani ka theksuar dy dukuri negative që janë në rritje te të rinjtë.

“Kemi ngritje të armëmbajtjeve pa leje dhe posedimit të narkotikëve dhe ato janë raste që janë identifikuar, janë hetuar dhe janë zbuluar nga zyrtarët policorë”, tha ai.

Shabani, ka deklaruar se që nga viti 2000 e deri tash, në rrugët e Kosovës kanë vdekur mbi 3 mijë persona si pasojë e aksidenteve të trafikut, përfshirë 100 gjatë vitit që shkoi. 

Gjatë prezantimit të raportit u theksua se në rajonin e Prishtinës është shënuar rënie e rasteve të vrasjeve, grabitjeve, vjedhjeve të rënda si dhe e dhunës në familje.