Arbëri

Hoxha s’përjashton rrezikun nga sulme të reja terroriste, Policia e gatshme për sfidat

Drejtori i përgjithshëm i Policisë ka deklaruar se nuk përjashtohen sulmet e reja terroriste në Kosovë. Megjithatë, Hoxha ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bashkëpunim me institucionet e tjera dhe është e gatshme ta përballojë çfarëdo sfide.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se nuk përjashtohen sulmet e reja terroriste në vend.

Në intervistën në të cilën foli lidhur me sulmin në Banjskë e atë në “Ibër-Lepenc”, ai ka thënë se Policia merr informata rregullisht nga institucione të tjera dhe mund t’i dalë ballë cilësdo sfidë.

“Nuk përjashtohet kjo mundësi. Ajo çfarë mund t'ju garantoj është që ne kemi një kontroll të mirë në veriun e Kosovës, kemi një bashkëpunim dhe shtrirje të mirë gjithandej në veri të vendit dhe kemi kapacitete të shumëfishuara të Policisë së Kosovës me qëllim të ballafaqimit me çfarëdo sulmi që mund të jetë. Domethënë, ne kemi kapacitete, kemi informacione, kemi inteligjencë, kemi një koordinim të mirë me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast me KFOR-in dhe EULEX-in...  Kështu që koordinimi është i mirë, vullnetin dhe motivin policët tanë e kanë shumë të lartë, janë të pajisur me pajisjet e nevojshme që i duhen për të kryer detyrën atje. E pastaj urojmë që të mos kemi telashe, por nëse ka do të jemi të gatshëm t'i dalim ballë çdo sfide, çdo problemi që mund ta kemi përpara”, ka thënë ai.

Në intervistën për Kosovapress, Hoxha ka deklaruar se zyrtarë të Policisë së Kosovës janë takuar tashmë me kryetarët e komunave në veri të vendit. Sipas tij, në bashkëpunim me ta pritet që t’i adresojnë çështjet e sigurisë edhe në kuptimin parandalues.

“Kryetari i komunës e ka për obligim të themelojë Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, i cili duhet të mblidhet një herë në muaj për të diskutuar situatën e rendit publik, sigurinë publike në komunën e caktuar, e pjesë e këtij këshilli duhet të jetë edhe komandanti i stacionit policor, e ku diskutohen problematikat kriminale dhe problemet dhe dukuritë tjera negative të cilat e shqetësojnë komunitetin në atë zonë, asaj komune, edhe bashkërisht me kryetarin e komunës, bashkërisht me institucionet e tjera, me vullnetarë të cilët janë pjesë e këtij këshilli, duhet me gjetur qasje preventive me qëllim të parandalimit dhe adresimit të brengave të sigurisë që qytetarët mund t'i kenë atje”, ka shtuar ai.

Në një nga komunikatat e fundit të Policisë së Kosovës për vitin 2025, është bërë e ditur se është shënuar rënie me 3.54 për qind i raportimit të veprave penale, e rritje e sasisë së konfiskuar të kokainës dhe marihuanës.

Rritje ka pasur edhe te gjobat e shqiptuara në trafik, me gjithsej 755,483.

Këtë vit, sipas raportit të institutit “Gallup” për sigurinë globale, Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta.

Ndërkohë problemi kryesor që e ka identifikuar Inspektorati Policor te policët është keqtrajtimi gjatë detyrës zyrtare.