LAJMET E MBRËMJES

Diplomati austriak Petritsch thotë se Kosova s’mund t’i ikë formimit të Asociacionit

Diplomati austriak Wolfgang Petrich ka deklaruar se Kosova s’ka se si ta shmangë Asociacionin, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese lë hapësirë për formimin e tij. Ish-përfaqësuesi i BE-së për Kosovën gjatë viteve 1998-1999 që tash udhëheq fondacionin “Marshall” të Austrisë ka thënë se është parim i shteteve ligjore që të zbatohet ajo që nënshkruhet. E ish-kryeministri Avdulla Hoti ka thënë se për shkak të veprimeve të pamatura të Kurtit, Asociacioni po kërkohet menjëherë.

Në kohë kur emisarët e dialogut po bëjnë përpjekje të shtura për t’i bindur Kosovën e Serbinë për ra pranuar planin evropian, është rritur edhe presioni ndaj Qeverisë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Diplomati austriak Wolfgang Petrich ka thënë se Kosova s’ka se t’i shmanget themelimit të Asociacionit.

Petritch, në një intervistë për portalin “Kosovo Online”, ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së asociacionit është kërkesë ligjore.

“Në Prishtinë refuzojnë Asociacionin, por nuk e thonë se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nga e cila citojnë vetëm nenin e parë, në pikën e dytë thuhet qartë se një komunitet i tillë mund të ekzistojë. Të dyja palët, me ndihmë të BE-së dhe SHBA-së, duhet të përpiqen të bëhen konkrete, çfarë mund të gjendet në marrëveshje, e çfarë jo, si mund të afrohen. Ka ardhur koha për negociata konkrete. Duhet të respektohen marrëveshjet e dakorduara, kështu që edhe Prishtina duhet ta respektojë atë parim. Kurti mund të thonë se nuk e do Asociacionin në mënyrë të caktuar, por nuk mund ta refuzojë themelimin. Parimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i shteteve ligjore është se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen edhe nga qeveritë e ardhshme. Pa këtë nuk do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare”, ka thënë Petritch.

E ish-kryeministri e deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po e kërkon me ngulm formimin e Asociacionit shkaku që Qeveria aktuale ka përdorur qasje të gabuar.

Hoti ka thënë se kjo qasje ka shkaktuar regres në pozitën e Kosovës në dialog.

“Besoj se qasja e gabuar e kësaj qeverie, qysh në fillim e ka sjellë këtë situatë, ku tash kërkesa e partnerëve tanë ndërkombëtarë është për të themeluar menjëherë Asociacionin. Në qeverinë paraprake ne e patëm dakordu një kornizë të dialogut me partnerë tanë ndërkombëtarë që nuk i prekin këto tema dhe nuk hyjnë edhe në temat e integritetit territorial, të sovranitetit që marrëveshja përfundimtare duhet të jetë për normalizim dhe njohje reciproke, që duhet të jetë marrëveshje brenda Kushtetutës së Kosovës dhe që nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për të gjitha. Çfarë bëri kjo qeveri kur e mori pushtetin? Hoqi dorë nga ajo kornizë e dialogut dhe dolën me disa pika që u kthyen para një shekull e gjysmë, dhe e futën vendin dhe veten në qorrsokak, i kanë bërë një dëm të madh vendit”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq këshilltari i kryeministrit Kurtit, Jeton Zulfaj, ka shpërndarë një postim ku ka thënë se Kushtetuta s’e duron Asociacionin.

Pse ka më shumë presion në Kosovë për Asociacionin sesa në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës? Në vigjilje të ditëlindjes së 15-të të shtetit tonë, është mirë të pauzojmë për një moment dhe të reflektojmë se përse gjendemi në një moment kaq delikat të presionit nga miqtë e aleatët tanë për të themeluar një asociacion njëetnik…Rrjedhimisht Kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë asnjë institucion shqiptar e nuk mund ta parashohë e pranojë asnjë institucion serb, rom, boshnjak, turk, goran, ashkali, egjiptian… Sa ishin në qeveri opozita e tanishme, rezistenca më e madhe ndaj Asociacionit njëetnik ishte në opozitë e demonstruar më së miri në demonstratën gjithëpopullore të thirrur nga Vetëvendosje! “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, ka deklaruar Zulfaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar në mosformim të Asociacionit dhe që të mos i jepet peshë, pasi, siç ka deklaruar ai, është vetëm një prej 33 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.

Në ditën e fundit të këtij muaji për Asociacionin do të diskutohet në një tryezë të cilën e ka organizuar Ambasada amerikane në Prishtinë.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk është ftuar për këtë takim, por ka shtuar se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.