LAJMET E MBRËMJES

Dështon seanca ndaj dy të akuzuarve serbë për krime lufte, shkaku i vonesës në përkthim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk është mbajtur seanca ndaj dy serbëve të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq. Avokatët e edhe kryetari i trupit gjykues kanë theksuar se tek të premten kanë pranuar deklaratën e dëshmitarit, Naim Haliti, të përkthyer në gjuhën serbe

Ka dështuar të mbahet të premten seanca gjyqësore kundër Zoran Kostiqit dhe Dragan Miloviqit, të cilët janë të akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në Komunën e Vushtrrisë.

Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit, si pjesëtarë të forcave të policisë së Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, të ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë, kanë vrarë, kanë keqtrajtuar civilë, si dhe kanë djegur shtëpi.

Për seancën e së premtes ka qenë e paraparë që të dëgjohej dëshmitari i Prokurorisë, Naim Haliti, porse avokati Predrag Milkoviq, i cili e përfaqëson të akuzuarin Kostiq, ka kërkuar që seanca të ndërpritej, me arsyetimin se deklaratën në gjuhën serbe të këtij dëshmitari e ka pranuar vetëm 10 minuta para se të nisë seanca.

“Jo nuk jemi gati, sepse ne tek tani e kemi pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Konsiderojmë që na nevojitet kohë ta shqyrtojmë këtë deklaratë”, ka theksuar avokati Milkoviq.

E prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli, ka kërkuar që dëshmitari Haliti të dëgjohet dhe të merret në pyetje vetëm nga Prokuroria.

“Për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmitari të merret në pyetje nga ana e Prokurorisë, pastaj mbrojtja në seancën e ardhshme. Edhe ashtu agjendën e kemi caktuar, vetëm në sesionin e paradites”, është shprehur ajo.

Por kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, e ka ndërprerë seancën nën arsyetimin e mungesës së kushteve për ta vazhduar shqyrtimin.

“Gjykata tek sot nga ana e Prokurorisë Speciale e ka siguruar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer në gjuhën serbe. Gjykata vlerëson se sot nuk mund të vazhdohet tutje me shqyrtimin gjyqësor dhe i jepet kohë avokatit dhe do të thirret dëshmitari që të japë dëshminë e tij”, ka thënë Shala.

Miloviq dhe Kostiq akuzohen për krime lufte të kryera gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, e të cilat prokuroria synon që t’i vërtetojë edhe nëpërmjet 14 dëshmitarëve që i ka propozuar.

Të akuzuarit që kanë mohuar krimet, që nga 20 shtatori i vitit 2023 ndodhen në paraburgim.