Gjykimi për masakrën e familjes Ujkani në Reznik të Vushtrrisë është shtyrë përsëri. Shkaktarë për këtë kësaj radhe, siç konstatoi gjykata, ishin familjarë të viktimave dhe viktimat e keqtrajtimit që përmenden në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Që nga 15 maji i vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të akuzuar për krime lufte, por seancat ndaj tyre janë shtyrë disa herë.
Kostiqi akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë: Imer Ujkanit, Muhamet Ujkanit me bashkëshorten, Behxhet Ujkanit, Fehmi Ujkanit, Sofije Ujkanit e Faik Ujkanit.
E Miloviqi akuzohet për pjesëmarrje në dëbim, por edhe keqtrajtim të viktimave: Ali Asllani, Kadri Shaqiri, Hakif Kasumi, Fadil Bajrami, Murat Mema, Sami Rrustemi, Tahir Fazliu.
Sipas aktakuzës, dëshmitarët Kadri Shaqiri dhe Ali Asllani e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq duke keqtrajtuar civilët shqiptarë.
E pasi aktakuzën e konfirmoi Gjykata e Apelit dhe pasi prokuroria dhe mbrojtja e paraqiti fjalën hyrëse më 9 dhjetor, katër dëshmitarë të dëmtuar në bazë të aktakuzës kanë munguar në seancën e së hënës.
Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, tha se gjykata nuk vlerëson se ka arsye për mungesën e tyre.
“Dëshmitarët kanë qenë të ftuar me procesverbal të datës 09.12.2024, po ashtu gjykata i ka njoftuar të njëjtit edhe përmes telefonit për seancën e sotme, mirëpo, siç po shihet, asnjë prej të dëmtuarve nuk ka prezantuar këtu në seancë dhe nuk kanë dhënë arsye konkrete se pse nuk janë të pranishëm në seancë...Seanca e radhës është caktuar për datën 6 dhe gjykata do të bëjë përpjekje ligjore që t’i ftojë që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor”, tha Shala.
Në bazë të aktakuzës Bilall Ujkani e ka parë vrasjen e familjarëve të tij, Halide dhe Tefik Ujkani, të cilët pasi u vranë edhe u dogjën.
Prokuroria Speciale pretendon se dëshmitarët e tjerë që munguan mund ta vërtetojnë se Kostiqi mori pjesë në dëbim të popullatës civile dhe do të dëshmonin se si ai i keqtrajtonte burrat civilë shqiptarë bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe.
Murteza Dallku dhe Sabri Dallku në bazë të aktakuzës mund të dëshmojnë për atë se si i akuzuari ishte pjesë e grupit që i rrahu më 22 maj 1999.
E Sabri Dallku do të dëshmonte edhe për vrasjen e të afërmit të tij Shefki Dallkut po atë ditë.
E dëshmitari tjetër, Vesel Latifi, që nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës, sipas prokurorisë, është keqtrajtuar personalisht nga i pandehuri Zoran Kostiq që, siç thuhet në aktin akuzues, e ka fajësuar se është “terrorist i UÇK-së”.
Një seancë në këtë rast qe shtyrë edhe para se të konfirmohej aktakuza, më 30 maj 2024, me kërkesë të mbrojtjes.
Arsyeja e shtyrjes së saj ishte meqë prokuroria nuk i ka plotësuar obligimet për t’ia dhënë të gjitha provat mbrojtjes. Seanca e radhës u shty për datën 6 shkurt.
Të dy të pandehurit janë në paraburgim që nga data 20 shtator 2023.