Synimi që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë i përshpejtuar ka bërë që presidentët e Kosovës dhe të Serbisë të lënë anash dallimet që kanë. Osmani e Vuciq të hënën u ulën në tavolinën e rrumbullakët, krahas liderëve të tjerë të rajonit. Pas takimit, Osmani tha se nuk është diskutuar për problemet mes Kosovës e Serbisë, e Vuçiqi tha se bisedimet për to do të bëhen në Bruksel më 14 shtator.
Dallimet që kanë i lanë anash të paktën për një ditë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Teksa morën pjesë në takimin në kuadër të Brdo-Brionit, Osmani e Vuçiq, u ulën në tavolinën e rrumbullakët teksa, mes të tjerash, u pajtuan për rrugën drejt BE-së.
Në diskutimet e zhvilluara, së bashku me krerë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, Osmani tha se nuk kanë përmendur situatën në veriun e Kosovës.
"Shtensionimi i situatës nuk është temë që varet nga shumica e presidentëve që ishin rreth kësaj tavoline... Sa u përket shteteve të BE-së, që në këtë rast ishin vetëm Sllovenia e Kroacia, ato kanë thënë qëndrimin e tyre brenda 27-shes", tha Osmani.
Ajo ka thënë se në takimet bilaterale që ka zhvilluar me presidentin e Kroacisë, ka ngritur si çështje masat e vendosura nga BE-ja e ka kërkuar heqjen e tyre.
Duke folur për takimin e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, e me dy shtetet anëtare të BE-së, presidentja Osmani tha se synim i përbashkët i tyre është procesi i përshpejtuar i integrimit i bazuar në meritokraci.
"Ka ardhë koha që të shohim hapa konkretë edhe nga ana e BE-së sa i përket procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha Osmani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se në takim, më shumë se për gjithçka tjetër, është folur për rrugën e rajonit drejt BE-së.
Vuçiq tha se diskutimet për problemet me Kosovën i kanë lënë për takimin që do të kenë në Bruksel.
"Sido që të jetë, sot ka qenë një diskutim shumë i drejtë dhe konstruktiv. Nuk ka pasur debate dhe grindje të mëdha, pasi ne dhe Prishtina i kemi lënë problemet tona për të enjten dhe Brukselin", tha Vuçiq.
Duke folur për bisedimet me Kosovën, tha se ato janë gjithmonë të vështira, për shkak të mbështetjes që përfaqësuesit e BE-së kanë për pavarësinë e Kosovës.
Më 14 shtator në Bruksel pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Për takimin, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se pret “rezultateve pozitive”.