LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja e BE-ja: Pranimi i propozimit evropian, mundësi për popujt e të dyja shteteve

Qasje evropiane e gatishmëri për kompromis, pret Bashkimi Evropian nga takimi që është duke u zhvilluar në Bruksel, mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Propozimin evropian, që është temë diskutimi mes Kurtit e Vuçiqit, e kanë vlerësuar si mundësi të mirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania

Diskutimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë kanë nxitur pritje nga të gjitha palët e përfshira.

Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka thënë REL-it se propozimi evropian për normalizim marrëdhëniesh paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyç për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”, thuhet në përgjigje.

Sipas të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pranimi i Planit është hap thelbësor i të dyja shteteve për integrim në Bashkimin Evropian.

"Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, është shprehur Sarrazin.

Në Bashkimin Evropian janë shprehur më të rezervuar sa u përket pritjeve nga ky takim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se gjithçka varet nga gatishmëria që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë për të ecur para.

“Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, ka deklaruar Stano.

Lidhur me takimin në Bruksel, të hënën është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq.

“Atyre që paraprakisht po përgatiten të na sulmojnë - sepse do të nënshkruajmë diçka, se do të jemi tradhtarë, dhe paraprakisht e dinë se jemi fajtorë, dhe se po kthehemi në vitet ‘90 - mund t’iu them të mos shqetësohen. Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”, ka theksuar Vuçiq.

E në Kosovë, derisa opozita është shprehur e bindur se në takimin e së hënës kryeministri Albin Kurti do ta pranojë zbatimin e Asociacionit, zyrtarë të pushtetit kanë nisur fushatë përkrahjeje për shefin e ekzekutivit.