Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Bastisje në ARBK, dyshime për ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit

arbk - bastisje

Foto: Driton Paçarada

Nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, u.d. e kryeshefes së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve dhe dy zyrtare të tjera janë intervistuar nga Prokuroria lidhur me ndryshimin e pronësisë së një kompanie. Ato u liruan me procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet në hetim. E në Ministrinë e Tregtisë thonë se aksioni lidhet me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit

Në mëngjesin e së mërkurës, njësite të forcave të rendit kanë bastisur zyrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, duke shoqëruar në polici ushtruesen e detyrës së kryeshefes, Igballe Rexha-Jashari dhe dy zyrtarë të këtij institucioni me inicialet F.L. dhe A. I. K.

Ato sipas Prokurorisë dyshohet se kanë bërë ndryshime të pronësisë së aksioneve të kompanisë “Newco Kosovatex Warehouse” sh.p.k. në vlerë mbi 50 mijë euro. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

“Lidhur me këtë aksion, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, të njëjtat dyshohen për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të cilat duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicialet I.B., të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Përveç bastisjes në ARBK, policia ka bastisur edhe dy lokacione të tjera.

E në Ministrinë e Tregtisë thonë se aksioni lidhet me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në përgjigjen e MINT. 

Në reagim thuhet se Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit. 

Aty theksohet se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion.