Me vendim të Gjykatës Speciale është bastisur një banesë në Prishtinë, e cila ka qenë bazë e veprimtarëve Bahri e Fahri Fazliu, të dy dëshmorë. Pjesëtarë të EULEX-it dhe zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë konfiskuar dy telefona dhe një laptop. E, avokati i familjes Fazliu, Artan Qerkini, ka thënë se bastisja ka qenë e kotë
Zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) kanë bastisur të martën banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu në lagjen “Kodra e Diellit”.
Që nga mëngjesi i hershëm, në afërsi të banesës, që, sipas familjarëve, ishte bazë e vëllezërve Fazliu nga viti ‘89 në vitin ‘99, ka qëndruar nipi i dëshmorëve, Fahri Faziu. Ai është intervistuar para dy vjetësh nga ZPS-ja, nën dyshimin për pengim të administrimit të drejtësisë.
“Bastisja ka nisur rreth orës 7 të mëngjesit. S’jam lejuar të futesha brenda. Të tjerët janë të mbyllur në banesë. Telefonat i kanë të gjithë të mbyllur”, ka thënë Fahri Fazliu, nip i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.
E pas aksionit Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve, tha se në banesën e tij janë sekuestruar tri pajisje elektronike. Ai theksoi se nuk e di arsyen përse ZPS-ja ka bastisur banesën. Ai ishte prezent gjatë bastisjes.
“Telefonin tim personal dhe të djalit i kanë sekuestruar, bile të djalit nuk ishte e nevojshme, dhe laptopin tim e sekuestruan. Dokumente nuk ka pasur çfarë të merrnin. Nuk kanë marrë në pyetje, vetëm thanë se kanë urdhër nga Gjykata Speciale për të kontrolluar banesën”, ka thënë Fadil Fazliu.
Version tjetër për gjësendet e sekuestruara ka dhënë paraprakisht avokati i familjes Fazliu, Artan Qerkini, i cili tha se janë konfiskuar dokumente që janë publike.
“Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme kur lëshon urdhra për bastisje sepse cenohet privatësia. Nuk kanë sekuestruar asnjë provë. Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara. Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, pra nuk ka pasur nevojë të bastiset fare. Prandaj thashë që bastisja ka qenë e kotë”, ka thënë Qerkini.
I pyetur përsëri për versionet kontradiktore lidhur me atë që janë konfiskuar, Fazliu e përsëriti se janë konfiskuar dy telefona dhe një laptop, ndërsa avokati Qerkini tha se e ka thënë atë që ka dashur ta thoshte në konferencë për media dhe se ka kufizime ligjore për atë që mund ta thotë lidhur me hetimet.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, Dhomat e Specializuara dhe EULEX-i nuk kanë dhënë detaje për aksionin.