Një tjetër ish-këshilltar i Hashim Thaçit ishte cak i Speciales për bastisje. Të mërkurën u kontrollua shtëpia e Ismail Sylës, të cilit iu konfiskua telefoni celular. Ai është ish-këshilltari i katërt i Thaçit, pronat e të cilëve janë bastisur këtë javë dhe i pesti këtë vit. Avokati Artan Qerkini tha se bastisjet e tilla janë të palogjikshme dhe në kundërshtim me ligjet e Kushtetutën
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zhvilluar bastisjen e katërt këtë javë në pronat e ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të mërkurën është ndalur në shtëpinë e Ismail Sylës, ku ka konfiskuar telefonin e tij.
Avokati Artan Qerkini, që përfaqëson Sylën njëjtë sikurse edhe këshilltarët e tjerë, tha se ZPS-ja ka besuar se mund të gjejë dëshmi lidhur me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Qerkini theksoi se gjatë kontrollit pati shkelje kushtetuese.
“Edhe ai, si z. Behrami e disa të tjerë nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar, por edhe përkundër faktit që nuk e kanë statusin e personit të dyshuar ata po bastisen. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës”, ka thënë avokati Qerkini.
Bastisja nisi herët në mëngjes e përfundoi në orën 11:30.
Qerkini u shpreh se bastisje të këtilla janë të palogjikshme si nga ana juridike ashtu edhe nga ana praktike.
“Kjo fushatë e bastisjes tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare, jo mbi mesatare, që do të mbante në shtëpinë e tij diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtësisht mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, mendoj se të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të të realizimit të qëllimit të bastisjes marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete”, ka shtuar ai.
Në dy ditët paraprake u bastisën pronat e ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçit: Artan Behramit, Bashkim Smakajt dhe Blerim Shalës. Ata e vizituan kolegun e tyre Syla pas përfundimit të aksionit të ZPS-së.
Në rrjetin social Facebook, Behrami i ka kërkuar Gjykatës Speciale ta dijë se kur mund t’i kthehen tabletët, të cilët siç tha, i përdorin fëmijët e tij për edukim dhe lojë.
Në total, ZPS-ja sivjet ka bastisur pronat e pesë ish-këshilltarëve të Thaçit: Më herët ishte bastisur edhe shtëpia e Adil Behramajt.