Arbëri

ZPS-ja konfiskon materiale nga pronat e Blerim Shalës dhe të ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar me lejen e Dhomave të Specializuara ka bastisur banesën e Blerim Shalës dhe shtëpinë e Bashkim Smakajt, të dy ish-këshilltarë të presidentit Hashim Thaçi. Avokati Artan Qerkini tha se te Smakaj me urdhër të Gjykatës janë konfiskuar materiale që, sipas Gjykatës, ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka kryer bastisje në pronat e Blerim Shalës dhe të Bashkim Smakajt, të dy ish-këshilltarë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati i tyre, Artan Qerkini, ka thënë se veprimet e Prokurorisë janë në vazhdën e hetimeve që lidhen me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Edhe kjo bastisje është në kuadër të vazhdës së bastisjeve të urdhëruar nga Gjykata Speciale, në një hetim që ata janë duke e zhvilluar qe sa kohë në lidhje me pengimin e drejtësisë, mirëpo mendoj që Gjykata me lehtësi shumë të madhe po i lëshon urdhrat për bastisje, sepse dihet që me këto urdhra cenohen të drejtat kushtetuese të personit, cenohet paprekshmëria e banesës, cenohet privatësia”, ka thënë Qerkini në konferencë për media pas përfundimit të bastisjes në shtëpinë e Smakajt.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, fillimisht tek ish-këshilltari politik i Thaçit, Blerim Shala. Kjo bastisje sipas avokatit të tij, ishte aksion i shkurtër, meqë përfundoi shpejt. Lidhur me bastisjen te prona e Shalës, ai është shprehur se nuk mund të flasë, meqë nuk ka mundur ta përcjellë deri në fund.

Shumë më gjatë ka zgjatur operacioni i kontrollit tek ish-këshilltari i Thaçit për çështje të sigurisë, Bashkim Smakaj, që ka mbajtur më herët edhe pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Kontrolli, sipas avokatit Qerkini është i pazakontë, meqë ai nuk e ka as statusin e të dyshuarit.
“Z. Smakaj nuk është fare evidentuar si i dyshuar në këto dokumente, pra është urdhëruar kontrollimi i shtëpisë të një personi i cili nuk e ka statusin e personit të dyshuar me këtë hetimin që po zhvillohet nga ana e Dhomave të Specializuara… Vetëm cilësinë e një personi ku sipas Dhomave të Specializuara mund të gjenden prova me relevancë për procedurat që janë duke u zhvilluar nga Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Qerkini.
Katër familjarë të Smakajt kanë mbërritur nga Klina në Prishtinë për ta parë nga afër bastisjen. Xhaxhai i Bashkim Smakajt, Hetem Smakiqi, ka thënë se janë shqetësuar me të kuptuar lajmin për ndërhyrjen e Speciales.
“Këto janë akuza të pavërteta me dëshmitarë të rrejshëm, e këta e marrin që ka diçka, por s’ka kurrgjë”, ka theksuar ai.

E Qerkini ka thënë se Dhomat e Specializuara duhet të jenë të kujdesshme në aprovimin e urdhrave të bastisjeve, pasi, siç u shpreh, me to nuk po gjendet asgjë dhe se po shkelet e drejta për privatësi. E ka quajtur të habitshme që personat që, siç tha, nuk kanë certifikatë të sigurisë të kontrollojnë në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së. Më 22 shkurt, Dhomat e Specializuara kanë bastisur shtëpinë e një ish-këshilltari tjetër të Thaçit, Adil Behramajt. Dhomat e Specializuara kanë dhënë dënime për pengimin e administrimit të drejtësisë ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt dhe i kanë dhënë dritë të gjelbër për gjykim së fundi edhe aktakuzës së Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari. Më 18 maj 2022, shkalla e parë e Dhomave të Specializuara i dënoi Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur. Ndërsa më 2 shkurt 2023 është shpallur aktgjykimi i Apelit që ua uli atyre dënimin nga katër vjet e gjysmë në katër vjet e tre muaj. Në shtator, Supremja e Speciales, ua refuzoi atyre kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, kurse më 5 tetor, janë arrestuar edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari.

Sipas ZPS-së ata kanë kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik, pasi përmes bashkëkryerjes me persona që nuk identifikohen në versionin publik të aktakuzës u takuan me “dëshmitarin 1 për ta nxitur që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së”. Specialja nuk e ka sqaruar nëse akuzat lidhen me dëshmitarin që ka të bëjë me çështjen penale kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-shefit të grupit të parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi apo me rastin e Pjetër Shalës.