Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Avokati i Veselit i quajti bërllok provat e Prokurorisë

Rodney Dixon

Para fjalës përfundimtare të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale folën avokatët e tyre. Që të gjithë kërkuan vendim lirues nga gjykata, e avokati i Veselit i quajti bërllok provat e Prokurorisë.

Lirimin e të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, e kërkuan avokatët e tyre në fjalën e fundit para trupit gjykues në Hagë. 

Rodney Dixon, i cili e mbron ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, theksoi se dëshmitë e disa prej dëshmitarëve nuk janë ballafaquar para gjykatës dhe janë të mbushura me thashetheme. Atyre ua dha epitetin e një grumbulli mbeturinash.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Janë 15 faqe ku kemi treguar se si provat e bazuara në thashetheme janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë aspak që z. Veseli të ketë qenë i përfshirë në një veprimtari, e jo më tej të ketë qenë i pranishëm fizikisht kur diçka ka ndodhur”, tha Dixon.

E avokati Luka Mishetiq, që mbron ish-presidentin Hashim Thaçi, tha se po të kishte prova konkrete prokuroria do t’i citonte ato para gjykatës e jo vetëm të jepte referenca në prova.

“Çfarë lidhje kishte Thaçi me komunikatat? Ne ende nuk e dimë se çfarë lidhje ka mes këtyre dyve... Cilat prej tyre kanë kontribuuar në krimet në aktakuzë. Edhe sot e kësaj dite ne nuk e dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në vend që të na jepte përgjigje, prokuroria na dha disa citime të numrave të provave materiale dhe këtë prokuroria nuk e bëri, sepse s’kishte kohë, por ishte e qëllimshme”, deklaroi Mishetiq.

E, avokati i ish-deputetit Rexhep Selimi, Goeffrey Roberts, theksoi se prokuroria nuk i beson as rastit të saj.

“Paaftësia e prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor sa edhe befasuese, por madje edhe paaftësia për të ngritur pika të tjera lidhur me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë prokuroria në argumentet e veta”, theskoi Roberts.

E avokati i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Aidan Ellis, akuzoi Prokurorinë për shtrembërim dëshmish të dëshmitarëve që i ka propozuar vetë.

“Prokuroria zgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj ndërkohë që nuk mori fare parasysh sqarimet me gojë, si dhe dëshmitë shfajësuese të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarët e prokurorisë. Kjo nuk është analizë, ky është shtrembërim. Trupi gjykues nuk duhet të orientohet drejt preferimit të fragmenteve të përzgjedhura me shkrim dhe të mos marrë parasysh dëshmitë e dhëna nën betim para trupit gjykues”, tha Ellis.

Procesi gjyqësor ndaj të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së ka nisur në prill të 2023-tës, ndërsa palët kanë dhënë fjalën përfundimtare javën e kaluar, ndërsa ajo është përmbyllur sot.