Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka njoftuar se do ta shfrytëzojë kompetencën e tij për ta dërguar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, që Kuvendi e votoi më 8 qershor në Gjykatën Kushtetuese. Krahas çështjes së barazisë gjinore, Qelaj tha se për këtë ligj nuk u mbajtën konsultime publike-shteruese të çështjeve kontestuese. Partia në pushtet e akuzoi Avokatin e Popullit, për tentim-ndikim në proces zgjedhor, e nga PDK-ja thanë se nuk ka pse merret me një ligj që është vlerësuar nga BE-ja
Institucioni i Avokatit të Popullit, do ta shfrytëzojë autorizimin, që ia jep neni 113 i Kushtetutës, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në konferencën e fundvitit Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë të martën, se ligjin, që shkakton ndryshime edhe në Ligjin për Financimin e Partive Politike, do ta çojë në Kushtetuese për shkak se nuk siguron barazi gjinore.
Ai ka shtuar se për këtë i ka dërguar letër presidentes Vjosa Osmani.
“Ligji ka kaluar pa e përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta e Kosovës dhe ligji për barazi gjinore. Unë i referohem kryesisht asaj çka thotë Kushtetuta, në nenin 7 të Kushtetutës tek përcaktimi i vlerave është theksuar në mënyrë eksplicite se vlerë Kushtetuese në sistemin juridik të vendit tonë është barazia gjinore dhe në rast kur kemi një kuotë 30 e nuk kemi një barazi të barabartë 50-50 për mua është në kundërshtim me këtë parim Kushtetues.”, ka thënë Qelaj.
Ai ka përmendur po ashtu mosshterjen e konsultimit publik, në prag të miratimit të këtij ligji.
“Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë, si të themi diskutim publik, që kishte me i shtjerrë të gjitha diskutimet në lidhje me temat, që mund të jenë kontestuese. Në anën tjetër, ka pasur një konsensus politik, sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për ta kaluar si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është Ligji për barazi gjinore”, ka shtuar ai.
Paralajmërimi i tij, ka nxitur reagime te partia në pushtet.
Deputeti i Vetëvendosjes, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, e ka akuzuar Avokatin e Popullit për tentim-ndikim në proces zgjedhor.
“Sot, avokati Qelaj, po na tregon se si në vitin e katërt të mandatit të tij, do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, ligjin e ri për zgjedhje për një dilemë që ka ekzistuar që 8 vjet, por që po e ngrit vetëm në vitin e fundit të qeverisjes së LVV-së, e para zgjedhjeve të reja në të cilat për herë të parë, me ligjin e ri, do të mundësohet votimi i mërgatës në ambasada. Kjo nuk ka të bëjë me mbrojtjen e kushtetutshmërisë. Kjo është përpjekje për të ndikuar proces zgjedhor”, ka shkruar Rrustemi.
Qelaj është kritikuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti Abelard Tahiri, ka thënë se në vend që avokati i popullit të merrej me hetim për abuzimet me faturat e energjisë e një mijë arsye tjera, ai po merret me një ligj që është vlerësuar nga BE-ja.
“Reforma zgjedhore e arritur përmes Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përbën rastin e vetëm, për të cilin Republika e Kosovës është vlerësuar dhe lavdëruar në vitin 2023, ku si rezultat i konsensusit politik, ka përmbyllur me sukses zbatimin e rekomandimeve vendore e ndërkombëtare dhe ka përfshirë risi të ndryshme në sistemin zgjedhor. Ky proces, me plot meritë është vlerësuar në Raportin e Progresit dhe në Konkluzionet e Bashkimit Evropian, ku edhe është kërkuar miratimi i shpejtë i akteve nënligjore në mënyrë që t’i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare mbi bazën e kësaj reforme. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, para se të merret me këtë ligj, ka një mijë e një raste të tjera, ku mund të kryejë detyrën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët nga shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore”, ka thënë Tahri.
Qelaj ka njoftuar se këtë vit, si institucion kanë pranuar 1.571 ankesa dhe se Avokati i Popullit ka dalë me 230 raporte me rekomandime.