Avokati i Popullit do t’u përgjigjet shqetësimeve për Ligjin për Zgjedhjet, e që lidhen me përfaqësim jo të barabartë gjinor në lista zgjedhore. Afati i dhënë nga ai, për amendamentimin e ligjit, si parandalim për dërgimin e tij në Kushtetuese, është drejt fundit e gjatë kësaj kohe në pushim dimëror janë ligjvënësit
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, pritet ta çojë të hënën në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet, meqë deputetët shpërfillën thirrjen e tij për ta amendamentuar këtë dokument.
Ai do t’u përgjigjet shqetësimeve për ligjin e që lidhen me përfaqësim jo të barabartë gjinor në lista zgjedhore.
Pas diskutimeve me presidenten Vjosa Osmani, Qelaj u ka dhënë kohë deputetëve deri më 15 janar që të bëjnë ndryshimet e nevojshme. Por, në këtë drejtim nuk ka pasur ndonjë veprim as prej ligjvënësve të pushtetit dhe as prej atyre të opozitës.
Në institucionin e Ombudspersonit thanë se pas takimit me Osmanin, asaj edhe zyrtarisht i është përcjellë konstatimi, duke lënë mundësinë e hapur për Kuvendin dhe partitë që të kenë mundësi përmes amendamentimit të ligjit të reflektojnë në përmbushjen e parimit të barazisë gjinore.
“Nëse kjo nuk ndodh deri më datë 15 janar 2024, atëherë Avokati i Popullit do të vazhdojë me procedurë në përputhje me mandatin e tij si organ i barazisë”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit dhënë KOHËS, dhe theksohet se nuk do të hiqet dorë nga synimi. “Të drejtat e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore duhet të trajtohen si një mundësi për të përmbushur aspiratat për barazi gjinore. Unë do të vazhdoj fuqishëm të promovoj barazinë gjinore, duke pritur që në këtë kauzë të bashkohen të gjithë akterët, duke dëshmuar me veprime konkrete siç janë edhe deklaratat. E konsideroj jokorrektësi që deklaratat publike janë me plot entuziazëm për barazi gjinore, e veprimet janë të tjera dhe pengojnë një të drejtë kaq bazike e legjitime”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Në lidhje me veprimet e ndërmarra konform kërkesës së Qelajt, KOHA adresoi pyetje në Zyrën e Presidentes dhe te shefat e grupeve parlamentare të partive kryesore të përfaqësuara në Kuvend. Por, përgjigje nuk ka marrë deri të shtunën.
E derisa afati i përmendur nga Avokati i Popullit për amendamentimin e ligjit është duke iu afruar fundit, deputetët janë në pushim. Sesioni pranveror nis të hënën kur do të takohet Kryesia e Kuvendit, por bazuar në agjendën që e ka publikuar të premten nuk ka në plan ta trajtojë edhe Ligjin për Zgjedhjet.
Ligji aktual thekson se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30 për qind janë meshkuj dhe së paku 30 për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.
Avokues të barazisë gjinore thonë se dërgimi në Kushtetuese i ligjit është e vetmja rrugë për të mundësuar përfaqësimin e barabartë të kandidatëve në listat zgjedhore.
Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se për barazinë gjinore deputetët kanë vetëm fjalë.
“U pëlqen të flasin, por nuk u pëlqen të marrin veprime, sepse më pastaj janë listat, të njëjtit deputetë mund të mos hyjnë në zgjedhjet e ardhshme, prandaj edhe nuk e kanë votuar, sepse kur të bëhen listat 50/50 shumica e burrave që janë tash mund të mos jenë”, ka thënë ajo.
Demolli ka treguar se edhe para miratimit të Ligjit për Zgjedhje është kërkuar nga deputetët që të reflektojnë, në mënyrë që ligji të jetë në përputhje edhe me Ligjin për Barazi Gjinore që kërkon përfaqësim të barabartë gjinor. Sipas saj, kërkesat e shoqërisë civile janë shpërfillur nga përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend.
Për ndryshimin e ligjit për zgjedhje, Demolli thotë se mungon vullneti i deputetëve.
“Nuk e kanë atë vullnet deputetët për shkak se ne kemi kërkuar para se të ndryshohet ligji, kemi kërkuar një gjë të tillë dhe deputetët as që e kanë marrë parasysh. Nuk do ta marrin prapë parasysh, por Avokati i Popullit duhet t’i respektojë rregullat dhe duhet t’i kërkoj, ashtu siç i ka kërkuar presidentes dhe pastaj ta dërgojë ligjin në Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Pas paralajmërimit se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet, Avokati i Popullit është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e edhe nga subjekti kryesor opozitar, Partia Demokratike. Kritikat ndaj tij, në Institucionin e Avokatit të Popullit, thonë se nuk do të ndikojnë në punën që e bëjnë.
“Çdo deklarim me kritikë në veprimet e mia është angazhim kundër përfaqësimit të barabartë të grave dhe vendosja e theksit në argumente të sajuara është maskim i qëndrimit kundër barazisë së gruas në vendin tonë”, thuhet në përgjigjen me shkrim dhënë KOHA-s.
Ligji për Zgjedhjet është miratuar në Kuvend, në qershor të vitit të kaluar, në procedurë të përshpejtuar, ndërkaq ka hyrë në fuqi një muaj më vonë.