Federata Gjermane e Futbollit (DFB) dhe kompania partnere Adidas kanë prezantuar fanellat e reja të Kombëtares së Gjermanisë që do t’i veshë nga ndeshjet e ardhshme.
Dizajni është përshkruar si “nderim për sukseset më të mëdha dhe fanellat më legjendare të Gjermanisë në Kupat e Botës”. Ato do të përdoren në Botëror nëse Gjermania siguron kualifikimin për turneun që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjermania do t’i veshë fanellat e reja për herë të parë më 14 nëntor, në ndeshjen kualifikuese kundër Luksemburgut, ndërsa ato do të përdoren gjithashtu edhe nga ekipet kombëtare të grave dhe skuadrat e moshave të reja.
Sipas Federatës gjermane, modeli në formë zigzagu është rikthim nostalgjik në dizajnin e vitit 1994, kur SHBA-ja për herë të parë ishte mikpritëse e Kupës së Botës.
Kombëtarja gjermane ka fituar katër herë trofeun e Botërorit — në 1954, 1974, 1990 dhe 2014.
Aktualisht, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann kryeson Grupin A të kualifikueseve të UEFA-s, falë golavarazhit më të mirë se Sllovakia.
Pas përballjes me Luksemburgun më 14 nëntor, Gjermania do ta mbyllë fazën e grupeve kundër Sllovakisë, që do të zhvillohet më 17 nëntor në Leipzig.


