Një lloj i caktuar i qumështit për foshnja “Aptamil AR1” është tërhequr nga tregu pas një njoftimi nga autoritetet e Bashkimit Evropian për prani të një bakteri. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe kompania që e importon sqarojnë se masa vlen vetëm për këtë formulë dhe jo për të gjitha produktet Aptamil
Një formulë qumështi për foshnjat 0 deri në 6 muaj, e përdorur për bebe të ndjeshme që vuajnë nga refluksi ose vjelljet pas ushqyerjes, është tërhequr nga tregu një ditë më parë me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në formulën “Aptamil AR 1”, institucionet për siguri ushqimore të Bashkimit Evropian kanë identifikuar praninë e bakterit Bacillus cereus.
Kompania që sjell këtë qumësht prej Holandës në Kosovë njoftoi se nga rezultatet e analizave që janë bërë, përdorimi i këtij produkti është i sigurt.
Megjithatë, sipas tyre, vendimi për largimin e tij nga tregu është marrë si masë sigurie, pas dyshimeve të ngritura në Kroaci.
“Pas njoftimit të prodhuesit për shqetësimet e ngritura nga autoritetet kompetente në Republikën e Kroacisë, në lidhje me një seri të caktuar të produktit ‘Aptamil AR 1’, 400 g (data e skadimit: 17 maj 2026, LOT: 111444865), u realizuan menjëherë analiza dhe testime shtesë sistematike. Rezultatet e këtyre testimeve konfirmuan se produktet e kësaj serie janë të sigurta dhe plotësisht në përputhje me të gjitha kërkesat rregullatore të Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur kompania “Union sh.p.k”.
Në një përgjigje për KOHËN, kompania ka konfirmuar që bëhet fjalë për një seri të kësaj formule të qumështit dhe me një datë specifike të skadimit, e cila, sipas tyre, nuk haset në tregun e Kosovës.
“Dyshimi ka qenë në APTAMIL AR 1, me lot 111444865 me datë të skadimit 17.05.2026, nuk ka raportim për vlerë të shtuar të bakterit së produktit. Bëhet fjalë vetëm për produktin me (FORMULË SPECIALE) “APTAMIL AR 1” me numër të LOT-it 111444865 dhe me datë të skadimit 17.5.2026. Nga gjurmimi ynë nuk është hasur prezenca e produktit “APTAMIL AR 1” me LOT numër 111444865 me datë skadimi 17.5.2026. Nuk ka dyshim për siguri në asnjë produkt APTAMIL”, ka sqaruar “Union sh.p.k”.
Ndërkaq në institucionin përgjegjës në Kosovë për sigurinë e ushqimit, as pas 24 orësh prej njoftimit për tërheqjen e këtij produkti, nuk kanë treguar nëse ka pasur në tregun e Kosovës produkte nga kjo seri dhe as sa është sasia e tyre që është tërhequr deri më tani nga tregu.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke kontaktuar me të gjitha organet kompetente, si dhe është duke u marrë në mënyrë intensive me këtë rast dhe së shpejti do të dalim me njoftimin e radhës për opinion, për këtë çështje”, ka thënë Muharrem Shahini, udhëheqës i Zyrës për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
“Aptamil” përfshin disa lloje formulash, të ndara sipas moshës dhe nevojave të foshnjave, si për refluks, alergji apo ushqyerje standarde.