LAJMET E MBRËMJES

Përdoruesit e qumështit “Aptamil AR 2” këshillohen ta konsultojnë pediatrin

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen nga tregu formulën e qumështit për foshnja “Aptamil AR 2”, pasi në një seri të këtij produktit është identifikuar prania e toksinës Cereulide. Agjencia ka vlerësuar se bëhet fjalë për rrezik serioz dhe u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin produktin. Edhe kompania prodhuese holandeze “Danone Nutricia” ka konfirmuar tërheqjen e një serie të caktuar të këtij qumështi, ndonëse ka insistuar se produktet janë të sigurta dhe në përputhje të plotë me rregulloret përkatëse të sigurisë ushqimore

Formula e qumështit për foshnjat nga 6 muaj deri në 1 vit, e përdorur për bebe të ndjeshme që vuajnë nga refluksi ose vjellje pas ushqyerjes, është tërhequr nga tregu gjatë ditës së hënë me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në produktin “Aptamil AR 2”, sipas njoftimit të AUV-it, është identifikuar toksina Cereulide e prodhuar nga bakteri bacillus cereus, i cili mund të zhvillohet kur ushqimi kontaminohet, nuk ruhet apo trajtohet në mënyrë të duhur.

“Lidhur me produktin ushqimor për foshnje APTAMIL AR2 dhe në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu. Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje. AUV-i u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes”, thuhet në vendimin e AUV-it. 

KOHA ka kontaktuar importuesin e këtij produktit për të marrë komentet për vendimin e AUV-it. E distributori i ka përcjellë KOHËS përgjigjen e kompanisë prodhuese të ““Aptamil AR 2” nga Holanda, “Danone Nutricia”. Kjo kompani thekson se të gjitha formulat për foshnje prodhohen në përputhje me standardet më të larta dhe strikte të sigurisë dhe cilësisë ushqimore dhe i nënshtrohen kontrolleve të rrepta dhe të vazhdueshme përpara se të dalin nga fabrikat e saj.  

“Kontrollet tona të brendshme kanë konfirmuar se produktet janë të sigurta dhe në përputhje të plotë me rregulloret përkatëse të sigurisë ushqimore. Megjithatë, në dritën e situatës që po zhvillohet me shpejtësi në sektor, si dhe në përputhje me udhëzimet në zhvillim të autoriteteve kompetente, si masë parandaluese kemi bërë tërheqjen e serisë 111527172 nga tregu: Aptamil AR 2 400g Identifikues i serisë: 111527172 Afati i përdorimit: 02.01.2027 Nga: Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), Produkti i prekur: Aptamil AR 2 400g Data e skadimit: 02.01.2027. Kjo masë ndërmerret në mënyrë parandaluese, në përputhje me parimin e kujdesit maksimal ndaj shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve”, thuhet në përgjigjen e “Danone Nutricias”.  

KOHA ka tentuar të marrë një qëndrim nga specialistët e pediatrisë në QKUK lidhur me pasojat e mundshme afatgjata për fëmijët që e kanë konsumuar këtë produkt, por ata nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. 

Ndërsa, nutricionistja Vala Popovci ka thënë se, nëse kjo formulë është përdorur, prindërit duhet të lajmërojnë pediatrin për kontroll të fëmijës. 

“Kjo toksinë mund të shkaktojë të vjella të papritura te foshnjat, zakonisht 1–6 orë pas konsumit. Nëse është përdorur ky lloj i formulës (Aptamil AR 2), duhet të ndalohet menjëherë përdorimi dhe preferohet të kontaktohet pediatri i foshnjës, duke e monitoruar për 24 orët e ardhshme për shenja si të vjella, diarre, temperaturë apo dehidrim. Nëse foshnja ka të vjella të shpeshta, temperaturë, diarre apo shenja dehidrimi, duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore”, ka thënë Popovci. 

Për ndalimin e përkohshëm të formulës “Aptamil AR 1” për fëmijë, edhe një muaj më parë ishte marrë vendimi pas shqetësimeve për praninë e bakterit Bacillus cereus. Por pas analizave ishte konfirmuar se produkti është i sigurt për përdorim.