Ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe ish-ndërmjetësja e dialogut Kosovë-Serbi, Catherine Ashton, ka përçuar të premten nga Prishtina mesazhe lidhur me procesin. Gjatë pjesëmarrjes në konferencën me temën: “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, ajo ka theksuar nevojën për vendosmëri të njëmendtë drejt kompromiseve në dialog, teksa ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në zhvillimin e bisedimeve
Trembëdhjetë vjet pas fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe ndërmjetësuese në dialog, baronesha Catherine Ashton, ende pret që të ketë përparim në këtë proces.
Ashton të premten ishte e pranishme në konferencën me temën: “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, organizuar në Prishtinë nga Grupi për Ballkan. Ajo ka theksuar se për përparim në dialog nevojitet udhëheqje dhe vendosmëri e përnjëmendtë për të bërë kompromis.
“Duhet udhëheqje e vërtetë, vendosmëri e vërtetë, të jesh i përgatitur për të lëvizur dhe menaxhuar situatën për të bërë kompromis në kuptimin më të mirë të kësaj fjale”. Bashkimi Evropian përbëhet nga 27 vende që kalojnë gjithë kohën e tyre duke bërë kompromise që u japin atyre rezultatet më të mira”, ka deklaruar diplomatja britanike. “Dhe ky është gjithashtu një element i rëndësishëm se si ia bëni që marrëveshjet të funksionojnë. Janë ndryshimet e vogla. Kurrë mos u dorëzoni, mos lëvizni kurrë nga parimet që mbani, mos lëvizni kurrë nga vendi ku dëshironi të shkojë shteti juaj, por të gjeni mënyra për të cilat mund t’i bëni ndryshimet e vogla, të ecni përpara me gjëra të vogla që mund të ndihmojnë për të ndërtuar idenë e madhe”.
Ish-ndërmjetësuesja e dialogut nuk pranoi ta komentojë propozimin që BE-ja ua paraqiti kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Por e ka lavdëruar emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se beson në të ardhmen e Kosovës.
“Dhe shpresoj që në muajt dhe vitet në vijim, ne do të shohim përparimin e dialogut. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresoj se do ta bëjmë dhe ju do të mbështeteni në këtë nga shumë njerëz që duan të shohin sukses. Sidomos Miroslav Lajçak, i cili ndonjëherë nuk merr mirënjohjen që meriton, ai ka punuar për mua, dhe me mua për shumë vjet dhe ai është dikush që vërtet beson në të ardhmen e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Edhe
Serwer: Vështirë të ketë përparim në dialog nëse mungon vullneti politik nga Serbia
Ashton e shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar procesin kurdo që kjo t’i kërkohet nga cilado prej palëve të përfshira. Megjithëkëtë, u pajtua me qëndrimin e kryeministrit Kurti që një ditë më parë ka theksuar se koha e Ashtonit ka përfunduar.
“Ai ka të drejtë, ato ditë ishin atëherë, kështu që është e rëndësishme që lidershipi të jetë atje tani në BE, dhe Kosova dhe Serbia mund të gjejnë mënyrat e punës për kundërshtimet, pasi ato identifikohen politikisht, ekonomikisht. Kështu që jam e lumtur gjithmonë të ndihmoj. Jam shumë e vetëdijshme se lidershipi duhet të vendosë ta çojë këtë përpara”, shtoi ajo.
E Philip Reeker, ish-zv.ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, theksoi se duhet të kujtohen rezultatet e mëhershme të prodhuara nga dialogu.
“Të kthehesh pas gjithë asaj pune e të shohësh që akoma po flasin për targa, e hatashme! Si ndihmon kjo që të shkollohet një fëmijë apo të arrihet diçka. I dëgjoj njerëzit këtu të flasin për parime, por është e rëndësishme të dish si t’i balancosh këto parime, këto vlera me nevojat për siguri, ato ekonomike e politike. Janë krijuar këto kriza të pakuptimta në vend që të bëhen gjëra me më shumë rëndësi në botën e 2023-s”, ka thënë ai.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike në vend, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Edhe
Kos thotë se dialogu me Serbinë është kyç në rrugën drejt BE-së, bën thirrje për institucione të qëndrueshme
Pas diskutimit baronesha Ashton e promovoi edhe librin e saj me titull: “Dhe, pastaj çfarë? Brenda tregimeve të diplomacisë së shekullit 21”.
Catherine Ashton ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2014, kur vendin e saj e ka zënë italiania Federica Mogherini.