LAJMET E MBRËMJES

Arrestohet kryeshefi i “Ekoregjionit”, dyshohet për abuzim me tenderin afro 400 mijë eurosh

Disa ditë para se të arrestohet kryeshefi i kompanisë rajonale të mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala, Prokuroria ka kryer bastisje në shtëpinë e tij dhe në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike “AK-47”, si dhe para të gatshme. Shala dyshohet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, në tenderin në vlerë afër 400 mijë euro

Me të arritur në Kosovë nga Italia, kryeshefit të kompanisë regjionale të mbeturinave “Ekoregjioni” në Prizren, Burim Shalës, i janë vënë prangat, nën dyshimin për keqpërdorim të autoritetit zyrtar në një aktivitet prokurimi.

Shala dyshohet për keqpërdorim në tenderin për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese, në vlerë afro 400 mijë euro.

Bastisje në shtëpinë e Shalës u kryen në fillim të javës, kur Prokuroria Speciale arrestoi për këtë tender edhe shefin e njësisë “Ekoregjioni” në Prizren, Arbër Gashi, dhe një përfaqësues të kompanisë “Dielli” që ka shitur kamionët.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është ndaluar për 48 orë i pandehuri B. Sh. I pandehuri B.Sh. dyshohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria bëri të ditur se gjatë bastisjes, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike “AK-47”, si dhe para të gatshme.

Ndonëse është kërkuar me urgjencë që të blihen 5 kamionët për grumbullimin e mbeturinave dhe një autofshesë, për gati një vit u lanë në parking të kompanisë pa u përdorur.

Hetuesit policorë të hënën kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Ekoregjioni”, si dhe të një subjekti privat.