Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Armë e municione kapen në shtëpitë e personave që u përleshën në Podujevë

pagosja

Katër personat e plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Podujevë, përfshirë edhe tre të dyshuarit, vazhdojnë trajtimin në klinika të QKUK-së. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore të tyre, do të kërkojë masë paraburgimi ndaj të dyshuarve. Dy prej tyre janë intervistuar, ndërsa i treti, i cili ndodhet në mjekim intensiv, ende nuk është intervistuar, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore

Armë, karikatorë dhe një sasi e konsiderueshme municioni janë gjetur në shtëpitë e personave që u plagosën në përleshjen me armë zjarri të enjten në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.
Policia ka njoftuar se me urdhër të prokurorit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve.

“Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarët policorë dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja. Në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i PK-së, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurtra me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë. Rasti u nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka bërë të ditur Policia.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore të tre personave të plagosur në Podujevë, Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria bëri të ditur se të dyshuarit me inicialet A.Xh. dhe F.Z. janë intervistuar dhe janë ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa i dyshuari i tretë me inicialet F.Z., ende nuk është intervistuar, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

“Sot, pas konstatimit te mjekeve se gjendja e tyre shëndetësore mundëson dhënien e deklaratës, te dyshuarit A. Xh., dhe F. Z., janë ndaluar me vendim te Prokurorit te Shtetit. Sa i përket të dyshuarit të tretë, ai ende nuk është intervistuar, sipas vlerësimit të mjekëve për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Brenda afatit ligjor, Prokurori i shtetit, do të shqyrtojë mundësinë për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Të plagosurit po vazhdojnë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare dhe, sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile.

Kalimtari i rastit, i plagosur gjatë incidentit, i është nënshtruar një operacioni dhe do të vazhdojë trajtimin e monitorimin në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale.

“Sipas njoftimit nga Klinika e Kirurgjisë Maksilofaciale, pacienti është pranuar në gjendje emergjente dhe është trajtuar nga ekipi kujdestar i kirurgëve maksilofacialë. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, gjatë së cilës predha është larguar me sukses dhe është realizuar trajtimi kirurgjikal i të gjitha dëmtimeve të evidentuara”, ka bërë të ditur QKUK-ja.

Ndërkaq, 36-vjeçari me inicialet F.Z. është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare pasi kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit në këmbën e djathtë, në zonën e gjurit.

Mjekët kanë kryer ndërhyrje për riparimin e enëve të dëmtuara të gjakut.

Po ashtu, F.Z., 32 vjeç, vazhdon trajtimin në Mjekimin Intensiv Qendror, ndërsa A. Xh., i cili ka marrë lëndime në gjoks dhe këmbë, po trajtohet në Klinikën Torakale.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja.