(E përditësuar 15:04) - Numri i të plagosurve në Podujevë është katër, një më shumë seç kishte njoftuar Policia e Kosovës. Katër të plagosurit aktualisht po trajtohen në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjendja e të plagosurve është e rëndë, por stabile, ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
Syla për KOHËN ka thënë se katër persona janë pranuar me plagë skllopetare (armë zjarri).
“Para 30 minutave, janë sjellë katër pacientë nga lëndimet me armë zjarri. Disa prej tyre i kanë përfunduar ekzaminimet. Gjendja e tyre është rëndë, por stabile. Njëri prej tyre është dërguar në sallën operative. Tre të tjerë po trajtohen në qendrën emergjente. Të katërtit janë moshë mesme”, ka thënë Syla
Tre të plagosur nga të shtënat në Podujevë
(E përditësuar 14:19) -
Sipas Pllanës, të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Aktualisht, njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo- hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë ai.
Raportohet për të shtëna në Podujevë
(14:08) - Është raportuar për të shtëna me armë në qendër të Podujevës pasditen e së enjtes.
Sipas videove të transmetuara në rrjetet sociale nga mediat lokale, në sheshin e Podujevës shihen njerëz të shtrirë në tokë derisa Policia e ka rrethuar zonën. Dyshohet për të plagosur.
KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar detaje. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Prokuroria jep detaje të reja për plagosjen në Podujevë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detaje të reja lidhur me plagosjen e së enjtes në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
Sipas Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.
Të plagosurit në Podujevë kanë lidhje familjare, njëri ishte kalimtar rasti
Basri Shabani, nënkolonel në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka bërë të ditur se katër persona kanë mbetur të plagosur nga incidenti me armë zjarri që ndodhi në Podujevë. Sipas tij, tre prej të plagosurve janë familjarë të përfshirë në ngjarje, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, Shabani ka dalë para mediave, ku ka ndarë informacione të reja lidhur me rastin.
“Sot, rreth orës 14:00, kemi pranuar informacion se në sheshin e Podujevës ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe, si pasojë e përdorimit të armëve, janë plagosur katër persona. Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore”, ka deklaruar ai.
Shabani ka theksuar se motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur. Ai ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se organet kompetente po mbledhin informacione për të sqaruar rrethanat dhe arsyet e incidentit.
Ai ka sqaruar gjithashtu edhe praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes.
“Zyrtari policor që ishte i veshur me rroba civile është hetues i Stacionit Policor në Podujevë. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndikuar që situata të mos përshkallëzohej edhe më tej”, ka thënë Shabani.