Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Apeli e rikthen në paraburgim të dyshuarin për krime lufte në Syriganë, Nebojsha Tomasheviq

Nebojsha Tomasheviq

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale që të ndryshojë aktvendimin e Themelores, dhe t’ia caktojë masën e paraburgimit prej një muaji Nebojsha Tomasheviqit, i dyshuar për krime lufte në Syriganë të Skenderajt. Sipas kësaj gjykate, ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprën për të cilën dyshohet

Gjykata e Apelit e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për krime lufte në Syriganë të Skenderajt, Nebojsha Tomasheviq. 

Tomasheviq, i cili më 1 mars është arrestuar bashkë me katër të tjerë, u lirua nga shkalla e parë, nën arsyetimin se është konstatuar se i pandehuri nuk e ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas kësaj, Prokuroria Speciale ka dorëzuar ankesë në Apel, e të cilën e ka aprovuar kjo gjykatë.
Sipas vendimit të Apelit, ekziston dyshimi i bazuar se Tomasheviq ka qenë i përfshirë në veprime kriminale kundër popullsisë civile gjatë periudhës 1998-1999. 

“Deklarata e dëshmitarit i cili ka deklaruar se gjatë ngjarjeve i kujtohet qartë zëri i Nebojsha Tomasheviqit, që kishte gjuajtur me mitraloz dhe kishte bërtitur “Prite Azem Bejta prite”, e ky deklarim përbën element të rëndësishëm identifikues pasi dëshmitari e lidh të pandehurin Nebojsha Tomasheviq me vendin e ngjarjes dhe me veprimet e armatosura të forcave serbe gjatë sulmeve të popullatës civile”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit. 

Në vendimin e Apelit thuhet se ka edhe dëshmitarë të tjerë që e kanë parë të armatosur të dyshuarin Tomasheviq.

“Dëshmia e dëshmitares sipas së cilës gjatë luftës në një periudhë kur në atë zonë ishte prezent OSBE-ja, ajo ishte kthyer në fshatin Syriganë për të parë gjendjen e shtëpisë dhe në atë rast ishte takuar me të pandehurin Nebojsha Tomasheviq, i cili ishte i armatosur dhe i ishte drejtuar dëshmitares me fjalët se ‘ju kurrë nuk keni me u kthye në Syriganë’”.

Sipas Gjykatës së shkallës së dytë, caktimi i masës së paraburgimit për të dyshuarin Nebojsha Tomasheviq ka bazë ligjore, meqë ekziston rreziku i arratisjes pasi ka shtetësi të Serbisë.

Ankesë në Apel patën bërë edhe avokatët e të pandehurve të tjerë: Ratko Krakoviq, Goran Tomaseviq, Sinisha Tomaseviq, Predrag Tomaseviq, të cilët gjenden në paraburgim që nga fillimmarsi i këtij viti. Ata kanë kërkuar lirimin e të katër të dyshuarve.

Por, Apeli i ka refuzuar ankesat e tyre.

Sipas kësaj gjykate, ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer veprat penale, të cilat u vihen në barrë.

Në vendimin e shkallës së dytë thuhet se në dëshmitë e dëshmitarëve vërtetohet fakti se të pandehurit gjatë muajit qershor të vitit 1998 kanë filluar sulme dhe kanë kryer spastrim etnik në fshatin Syriganë, duke shtënë me armë të ndryshme nga pozicione të ndryshme ku kanë qenë të vendosur.