Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin me të cilin Muhamet Alidemaj ishte dënuar me 13 vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile, duke e kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës së shkallës së parë, është bërë e ditur në komunikatën e lëshuar nga Apeli të mërkurën.
Departamenti Special i Apelit ka aprovuar ankesën e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, duke konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe mangësi në vlerësimin e provave.
Sipas Apelit, Gjykata Themelore nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për veprimet konkrete dhe kontributin e Alidemajt në bashkëkryerjen e veprës penale.
Ajo ka vlerësuar vetëm deklaratat e tre dëshmitarëve, ndërsa provat e tjera të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor i ka lënë pa i trajtuar.
Po ashtu, Apeli ka vërejtur se nuk janë shqyrtuar në mënyrë të veçantë pretendimet e mbrojtjes dhe çështja e identifikimit të të akuzuarit, për të cilat kishte dhënë vërejtje edhe në vendimin e mëparshëm për kthimin e rastit në rigjykim.
Në aktgjykimin e 2 shkurtit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur M.A. fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e kishte dënuar me 13 vjet burgim. Në dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 30 marsi 2021.
“Gjykata e Apelit ka dhënë udhëzime konkrete për shkallën e parë, ashtu që në rigjykim, e njëjta duhet të mënjanojë të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë aktvendim dhe të shqyrtojë çështjet kontestuese të theksuara edhe në aktvendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit. Tutje, t’i vlerësojë të gjitha provat e administruara një nga një dhe në lidhje me provat e tjera, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtjes, procesverbalet e identifikimit dhe provat e tjera materiale, si dhe të japë arsye të qarta për faktet që i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara. Gjithashtu, nëse e sheh të nevojshme që për sqarimin e ndonjë çështje kontestuese të dëgjohet sërish ndonjë dëshmitar, gjykata, me pajtimin e palëve, të procedojë edhe me dëgjimin e tij”, thuhet në njoftim.
Apeli ka kërkuar që edhe përshkrimi i veprimeve konkrete të të akuzuarit në aktgjykimin e ri të jetë në përputhje me provat e administruara.
Ky është rikthimi i sërishëm i çështjes në rigjykim, pasi sipas Apelit, mangësitë e evidentuara në vendimin e mëparshëm nuk janë eliminuar.