Prokuroria Speciale i ka arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës pesë serb të dyshuar vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë, një prej të cilëve, Sadri Demiri është edhe sot e kësaj dite i pagjetur.
Prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli, tregoi se serbët e Kosovës të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në fshatin Syriganë të Skenderajt janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kemi prova, dëshmi të dëshmitarëve, por edhe prova të tjera materiale se të njëjtit mund të jenë kryerës të kësaj vepre”, tha Salihu Shamolli në një deklarim për media.
Si rezultat i bastisjeve në pesë lokacione në Syriganë dhe një lokacion në veri të vendit, janë sekuestruar uniforma të ndryshme, përfshirë ato të ushtrisë jugosllave, një armë gjysmautomatike, një armë brezi të llojit “Zastava”, një pushkë gjuetie - prodhim i ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe karikatorë me dhjetëra fishekë.
Edhe në rrjete sociale janë publikuar dëshmi që është pretenduar se tregojnë për pjesëmarrjen e banorëve serb të Syriganës në sulmin ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë.
Faqja e fshatit Syriganë ka publikuar disa herë fotografi për të cilat ka shkruar se janë shkrepur në kohën kur forcat serbe sulmuan popullatën civile shqiptare në fshat.
E prokurorja Salihu-Shamolli tha se policia tashmë ka intervistuar familjarët.
“Prokuroria bashkëpunon me të gjitha institucionet për mbledhjen e informatave. Kanë ardhur informacione të ndryshme, pastaj i kam dhënë autorizim, gjegjësisht, kërkesë për mbledhjen e informatave te policët. Të njëjtit kanë intervistuar shumë viktima – familjarë, dhe në bazë të dëshmive të tyre kanë identifikuar të dyshuarit dhe në bazë të kësaj kemi ardhur te ndalimi i këtyre personave”, tha Salihu-Shamolli.
Për arrestimin e pesë të pandehurve ka reaguar Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë. Ajo ka premtuar se do t’ua paguajë avokatët të dyshuarve, teksa Lista Serbe reagoi duke thënë se të dyshuarit u çuan në ndalim 48-orësh pa prova.
Por, prokurorja Shamolli ka thënë se dëshmitë e mbledhura janë të shumta dhe se tani i takon Gjykatës Themelore në Prishtinë që ta vlerësojë përmbushjen e kushteve ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Në bazë të versionit online të Librit të Kujtimit për Kosovën, nga Syrigana në qershor të 98-ës janë zhdukur tre civilë shqiptarë dhe tre janë vrarë.
Në vitin 2020 institucionet e Kosovës i kanë identifikuar mbetjet e dy personave në një oborr shtëpie në Syriganë e që rezultuan të jenë banorë të fshatit. E në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur e kanë konfirmuar se një prej civilëve, Sadri Demiri, vazhdon të jetë në listën e të pagjeturve.
Një burrë civil shqiptar u vra nga forcat serbe në shtator të ‘98-s dhe një grua në bazë të këtij regjistri figuron si “vdekje e lidhur me luftën” më ‘99-n.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999, në Tribunalin e Hagws ishin gjykuar e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Shef i sekretariatit të Punëve të Brendshme të Mitrovicës ku përfshihet edhe komuna e Skenderajt gjatë kësaj periudhe ishte Ljubinko Cvetiq. Ndaj Cvetiqit dhe 20 personave tjerë Prokuroria Speciale më 15 gusht tw vitit 2025 ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera gjatë periudhës janar-qershor 1999. Sipas Prokurorisë Speciale, veprimet e ndërmarra nga të pandehurit kanë rezultuar me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Sektorët e ministrisë së Brendshme apo departamentet i raportonin rregullisht zinxhirit të tyre. Sipas këtij aktgjykimi, forcat serbe të rregullta policore, të sekretariatit (SUP) dhe të Departamentit të Punëve të Brendshme dhe stacioneve policore mbështetej me rezervistë. Në qershor të 98-ës, sipas dëshmitarit K25 të cilit Tribunali për Ish-Jugosllavi ia fali besimin, të gjithë serbët e Kosovës llogariteshin si rezervistë të forcave serbe.