Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë, ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 863 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova, gjatë luftës së fundit. Prokurori i rastit, Atdhe Dema, tha se të pandehurit nuk janë të arritshëm për organet e drejtësisë dhe se me kohë është bërë kërkesë për urdhërarrest dhe fletërreshtim ndërkombëtar
Kur janë bërë 26 vjet nga lufta, gjatë së cilës Serbia i dëboi me forcë nga Kosova 800 mijë shqiptarë, Prokuroria Speciale ka deponuar një aktakuzë për këtë krim lufte.
Aktakuza është dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për 21 persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”.
Të pandehurve që Prokuroria i akuzon në mungesë, nuk u është publikuar identiteti. Por inicialet e tyre janë: Z. P., M. C., R. M., D. A., O. S., Ž. T., G. R., B. J., S. I., B. V., S. P., N. P., K. J., L. S., B. D., R. S., D. Z., M. Gj., L. C., B. F. dhe M. K..
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, tha se të pandehurit nuk janë të akuzuar në ndonjë rast tjetër, ndërsa theksoi se identiteti i tyre do të bëhet i ditur shpejt dhe tha se ata nuk janë të arritshëm për organet e drejtësisë.
“Emrat sigurisht që do të publikohen shumë shpejt, pasi që akuza është dorëzuar në gjykatë”, ka thënë ai në një konferencë për media, bashkë me kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj.
Dema tregoi edhe veprime të tjera, në funksion të kapjes së njerëzve që Serbia refuzon t’i ofrojë për gjykim tek autoritetet e Kosovës.
“Ne kemi bërë me kohë kërkesë për urdhërarrest dhe fletërreshtim ndërkombëtar. Pra, i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ashtu siç kërkohet me procedurat ligjore te ne. Deri në këtë moment, të njëjtit janë të paarritshëm për prokurorinë”, ka thënë ky Prokuror Special. “Letërrreshtimi ndërkombëtar i detyron shtetet që në moment që ata hasen, pra të pandehurit në këtë fazë, pra në territorin e tyre, të ndërmarrin veprime siç kërkohet me të drejtën vendore dhe ndërkombëtare”.
Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.
Por ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Aktakuza e deponuar të premten nga Specialja, është më e madhja e ngritur për krime lufte.
Sipas dokumentit të deponuar në gjykatë, të 21 të pandehurit akuzohen se, në cilësinë e personave me përgjegjësi komanduese, gjatë periudhës janar-qershor 1999, kanë qenë të përfshirë në dëbimin e dhunshëm të popullsisë civile shqiptare nga territori i Kosovës.
Prokurori Dema ka theksuar se pas vite hetimesh intensive, është ngritur akuza ndaj këtyre personave që kishin autoritet mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe.
“Pas vite hetimesh intensive, përfundimisht sot kemi dorëzuar një akuzë në gjykatën kompetente, pra Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Dëshiroj t’ju njoftoj se kjo akuzë është ngritur për krime lufte kundër popullatës së civilëve, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar-qershor 1999 në territorin e Kosovës, në kuadër të konfliktit të armatosur dhe luftës që ka ndodhur atëherë”, ka thënë ky Prokuror Special. “Sipas provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit – janë 21 – duke ushtruar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura në zonat përkatëse në tërë territorin e Kosovës – pra bëhet fjalë për ushtrinë e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë – kanë pasur dijeni apo arsye të mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare humanitare”.
Sipas organit të akuzës, këto veprime e përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.
Sipas aktakuzës, këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë.
Prokurori Dema tha se të pandehurit në pozitën dhe funksionin që kanë ushtruar, kanë dështuar t’I marrin masat e nevojshme dhe të arsyeshme për t’i parandaluar këto krime, kanë dështuar për t’i ndëshkuar autorët e tyre, si dhe kanë dështuar për t’i raportuar ato tek autoritetet më të larta, ndonëse kishin kompetenca ligjore dhe funksionale për të ndërmarrë apo për të bërë një veprim të këtillë.
“Aktakuza të pandehurit i ngarkon në bazë të nenit 142 të Ligjit penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ligj atëherë në fuqi, i cili i sanksionon krimet e luftës kundër popullatës civile, si dhe në harmoni me të drejtën humanitare ndërkombëtare, përfshirë konventat e Gjenevës, dhe protokollet shtesë”, ka thënë ai.
Dema theksoi se Prokuroria mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të së vërtetës, në mbrojtjen e viktimave, si dhe në sigurimin e drejtësisë për të gjitha palët.
“Hetimet tona kanë qenë të pavarura, profesionale dhe të mbështetura në prova konkrete”, ka thënë Prokurori Special. “Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për të mos ndikuar në procesin gjyqësor, pasi siç e kuptuat sot është dorëzuar akuza, nuk mund të jap më shumë detaje në këtë fazë”.
E kryeprokurori Blerim Isufaj ka theksuar se dorëzimi i aktakuzës përbën një hap të rëndësishëm.
“Aktakuzën që sot e kemi dorëzuar në gjykatë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë. Është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar për të siguruar që aktakuza të mbështetet mbi prova, përtej çdo dyshimi të bazuar në një, pavarësisht se ajo është ngritur në mungesë të të pandehurve”, ka thënë kryeprokurori Isufaj.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13 civilë. Ndërkaq, rreth 1,500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur.
Në muajt e fundit të luftës, rreth 1 milionë shqiptarë u dëbuan nga Kosova, kryesisht për në Shqipëri dhe në Maqedoni.