LAJMET E MBRËMJES

Ish-pjesëtari i LDK-së thotë se u keqtrajtua gjatë luftës, ua mvesh të akuzuarve vrasjen e të vëllait

Ish-pjesëtari i LDK-së, Imer Imeri, ka dëshmuar në rastin ku ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai tha se edhe sot e kësaj dite i vuan pasojat e keqtrajtimit më 1999 nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. E për vrasjen e të vëllait të tij Haki Imeri, gishtin e drejtoi tek të akuzuarit

Ish-pjesëtari i LDK-së, Imer Imeri, në dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se gjatë kohës së luftës është ndaluar dhe keqtrajtuar në Kosovë e edhe në Cahan të Krumës në Shqipëri, sipas tij, prej pjesëtarëve të UÇK-së.

Prokurorja Vega Iodice u shpreh se dëshmitari është ndaluat dhe keqtrajtuat meqë ishte pjesëtar i LDK-së. 

“Dëshmitari 04735 është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer në Kosovë nga ushtarët e UÇK-së me maska sepse ishte përkrahës i LDK-së dhe e kanë mbajtur në kazermën ushtarak të UÇK-së në Shqipëri dhe e kanë rrahur ushtarët e UÇK-së. Ai ka qenë në kushte të këqija sanitare edhe ka parë se si janë keqtrajtuar persona të tjerë që kanë qenë të ndaluar me të. Rreth mesit të qershorit 1999, dëshmitari 04735 u transferua në Prizren ku u mbajt i ndaluar për disa ditë bashkë me disa të tjerë ku përfshiheshin serb edhe romë përpara se ta lironin anëtarët e UÇK-së të cilit i kërkuan që të mos tregonte askujt se e kishin mbajtur të ndaluar”, ka thënë prokurorja Iodice. 

E Imeri tha se ajo që e ka shtyrë të dëshmojë në këtë gjykim është padrejtësia që ndien për vrasjen e të vëllait, Haki Imerit dhe moszbardhjen e rastit. 

“Është vështirë me i harru. Sikur mos t’mu kish vra vëllai ndoshta, isha përpjekë me harru, por këta e vnun kulmin e të gjitha të këqijave që ma vranë vëllain, një djalë i një familje kombëtare, një djalë i shkolluar, kur u bë me i vyer shtetit e vetit e tanëve, me u çu mi vra e me ja marrë jetën dhe me thanë s’di kush e vrau. Kta katër janë t’institucioneve t’Kosovës, ku kanë shërby, me u vra t’gjithë ata njerëz edhe mos mu ditë kurrë kush i vrau. Heshtje! Gjithmonë heshtje! Ajo më ka shty të jem këtu i hapur para drejtësisë e t’i shikoj në sy”, është shprehur ai.  

Gjatë dëshmisë të hënën, Imeri deklaroi se është keqtrajtuar gjatë rrugës nga Prizreni në Brezovicë. E këtu ka veçuar një pjesëtar të UÇK-së.

“Atë natë që më kanë dërgu, m’kanë shti në dhomë. Në këtë dhomë më kanë përmendë se jam adhurues i presidentit Rugova edhe hiqni dorë apo do të vriteni të gjithë edhe ka fillu dajaku...M’ka ra niher – dy shuplaka, m’ka rrehë ni herë me patericë edhe tani me ni dru – komandant Hoxha, Riza Alia, ai ka fillu me m’ra n’krye edhe gjithkund nëpër trup, kështu që jom kanë i mbulum me gjak”, ka pretenduar Imeri. 

Sipas tij, Xhemshit Krasniqi e ka dërguar me veturë në vendin ku është keqtrajtuar, por shtoi se ka përshtypjen se ai nuk ka dashur ta bëjë këtë, por ka qenë i detyruar. 

Shkaku dhunës, tha se edhe sot vuan psikikisht e fizikisht. 

“(Shenjat v.j ) i kom t’dukshme këtu në dorë edhe në krye. Kom dhimbje në dorë. Krahun nuk muj e lëviz. Tre kilogramë s’muj i çoj me këtë dorë e edhe mjeki e ka konstatue që ndoshta ni ditë do të përfundosh (ashtu) që mos mujtë me lëvizë ma. Kom dhimbje në shpinë prej rrahjeve t’mëdhaja, tri herë jam rrafë, jam kanë i alivanosun. Jom kanë pa vetëdije që s’ma ka marrë menja që pshtoj gjallë. Por gjithmonë me shpresë që Zoti do të më qesë para drejtësisë dhe ajo ditë erdh sot. Ju falënderoj trup gjykues dhe gjithë të tjerët”, tha dëshmitari. 

Në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, ai u përgjigj se ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së më 1998 dhe se sot e ka statusin e veteranit. 

Ai dha edhe një mesazh edhe për ata që e përcjellin e dëshminë e tij. Tha se nuk është kundër UÇK-së.

“Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së, se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjellë sot këtu”, u shpreh dëshmitari. 

Paraprakisht kundërshtime lidhur me dëshminë e këtij dëshmitari ka parashtruar i akuzuari Rexhep Selimi. E Hashim Thaçi, në kohën sa ishte president i Kosovës e pati dekoruar post-mortem vëllain e dëshmitarit, Haki Imerin, me Urdhrin “Hero i Kosovës”. 

Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Shumica e viktimave, sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të kjartë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë, e jo civilët.