LAJMET E MBRËMJES

“Defender Europe 23”, demonstrim i gatishmërisë së SHBA-së për mbrojtjen e aleatëve

Kosova është nikoqire e “Defender Europe 23”, ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar në të cilin po marrin pjesë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa. Këto stërvitje ushtarake nga liderët institucionalë kosovarë u vlerësuan duke shtuar se kjo shfaq aftësinë ushtarake kundër agresorëve të mundshëm. Në ceremoninë hapëse u vlerësua lart pjesëmarrja e madhe e ushtarëve të Forcës së Sigurisë. Derisa përfaqësues të Shteteve të Bashkuara thanë se synimi është që të demonstrohet se ushtria e SHBA-së është e gatshme dhe e zonja për të zbarkuar pajisjet e trupat dhe për t’i siguruar aleatët dhe për të sprapsur rrezikun.

Prishtinë, 21 maj – Ushtarë e pajisje të Forcës së Sigurisë të Kosovës mbushën Sheshin “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, mesditën e së dielës, në prag të nisjes së ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar që nga 22 maj deri më 2 qershor mbahet në Kosovë. Presidentja e Kosovës, njëherësh edhe Komandante Supreme e Forcave të Armatosura, Vjosa Osmani, në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarjeje, ka thënë se periudha kur po mbahen këto ushtrime ka rëndësi historike, pasi sipas shënohet përvjetori i 24-t i bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë. Këto stërvitje ushtarake, sipas Osmanit, thellojnë ndërveprueshmërinë ushtarake dhe besimin mes forcave të Kosovës dhe aleatëve të saj.

“‘Defender 23’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë që është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori e lufta jonë ishte luftë për liri, kjo është e vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdo herë e kudo. Prandaj sot teksa i shohim shtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së që e bënë të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë”, është shprehur Osmani.
Në fjalimin e saj, ajo e vuri theksin te aleanca me SHBA-në, derisa i inkurajoi ushtarët e FSK-së që t’i dëshmojnë aftësitë e tyre dhe të nxjerrin mësime gjatë ushtrimeve.

“Kam besimin e plotë në aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale dhe nivelin e forcës, qëndrueshmërisë dhe përgatitjeve tuaja intensive. Le të shërbejë kjo stërvitje si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, si triumf i shpirtit njerëzor dhe i vullnetit të paepur të ushtarëve si ju. Le të jetë kjo edhe një tregues se sa është e fuqishme është aleanca jonë me SHBA-në. Qëndroni të palëkundur në qëllimin tuaj, mbahuni fort pas vlerave tuaja dhe kthehuni nga ky ushtrim me krenari përvojë dhe shkathtësi të reja. Së bashku jemi gjithmonë më të fortë me forcat aleate”, ka deklaruar Osmani.

Jeffrey Hovenier, ambasadori i SHBA-së, vendit që udhëheq këto ushtrime, ka theksuar se synimi i SHBA-së është demonstrimi i gatishmërisë së saj për mbrojtjen e aleatëve dhe partnerëve në kontinentin evropian.

“Një prej qëllimeve të këtij ushtrimi është ta demonstrojmë që ushtria amerikane është e gatshme dhe e zonja të lëshojë me shpejtësi trupa dhe pajisje të gatshme për luftime për t'i siguruar aleatët prej atyre që e kërcënojnë paqen dhe ta mbrojë kontinentin evropian nga agresioni. Por një synim tjetër i kësaj stërvitjeje është ta tregojmë përkushtimin ndaj aleatëve e partnerëve tanë për përmasat, aftësitë e ndërveprueshmërinë e vetë ushtrive të tyre”, ka thënë Hovenier.

Për më tepër ai tha se SHBA-ja e mbështet vizionin e Kosovës që të bëhet kontribuuese e sigurisë edhe jashtë saj – nga importuese në prodhuese e sigurisë.

“FSK-ja i ka bërë kosovarët më të sigurt, i ka hequr mbi 13 mijë mina e ka reaguar në shumë aksione. Në Qeverinë amerikane kemi kënaqësinë të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes e FSK-në, derisa të avancojmë tutje drejt një force ushtarake shumë etnike të mbrojtjes territoriale, siç e kemi synimin. Duam të arrijmë këtë qëllim. Vizioni i përbashkët është i qartë – Kosova të vazhdonë të transferohet nga konsumatorë dhe importuese e sigurisë nga forcat botërore, në një prodhuese dhe eksportuese të sigurisë, duke ndihmuar për të ofruar siguri më të madhe në gjithë botë”, ka thënë Hovenier.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se krahas sistemit të përbashkët mbrojtës Kosova ka vëmendje edhe për sistemin e vlerave demokratike.

“FSK-ja është e katërta në këtë ushtrim për nga numri i ushtarëve pjesëmarrës. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë vlerat demokratike. Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e do – të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, paqja dhe demokracia”, tha Kurti.

E ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se paqja është e vetmja rrugë, ndërsa konfirmoi se rrugëtimi dhe qëllimi i FSK-së është anëtarësimi në NATO.

“Destinacioni ynë është një dhe i vetëm: anëtarësimi në NATO. Ne do të jemi përmbushës i çdo detyre e çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes së madhe euroatlantike...Në këtë stërvitje do të kemi pjesëmarrës nga 25 shtete me mbi 24 mijë pjesëmarrës. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarakë, ne do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarakë që do të jemi pjesëmarrës. Paqja është rruga jonë. Paqja është e vetmja rrugë. Ju uroj sukses të gjithëve, dëshmoni që jemi të gatshëm të jemi krah për krah me partnerët tanë kurdo që kërkohet nga aleanca jonë”, ka thënë Mehaj.

Në ushtrimet që po mbahen në Kosovë marrin pjesë trupat ushtarake të shteteve si: SHBA-ja, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Turqia. Në Babaj të Bokës në Gjakovë dhe në Aeroportin e Gjakovës do të zhvillohen ushtrime si ato të reagimit të shpejtë. “Defender Europe” janë stërvitje të përvitshme ushtarake që sivjet zgjasin nga 22 prilli deri më 23 qershor, nëpër vende të ndryshme të Evropës, ku marrin pjesë 22.000 ushtarë. Kosova ka qenë nikoqire e kësaj ngjarjeje edhe vitin e kaluar. Sivjet është në mesin e shtatë shteteve ku mbahen trajnimet e për reagimin e shpejtë bashkë me Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë. Në rajonin e Gjakovës ushtrimet do të zhvillohen nga 21 maji deri më 2 qershor. Sipas faqes zyrtare të ushtrisë amerikane qëllimi i kësaj stërvitjeje të organizuar nga sektori i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë është ta rrisë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e trupave amerikane dhe aleate në Evropë dhe ta afirmojë përkushtimin amerikan ndaj aleatëve të saj.